Ndërlidhjet

logo-print

PARTITË POLITIKE: DISA PIKA TË DOKUMENTIT TË TRESHES NË NJË VIJË ME QËNDRIMET E PALËS KOSOVARE


Albana Isufi

Përfaqësues të partive politike thonë se pavarësisht dokumentit 14 pikësh, të ofruar nga Treshja ndërkombëtare, pala kosovare nuk duhet të heqë dorë nga qëndrimet e saj, se pavarësia është e panegociueshme dhe se pakoja e Ahtisaarit nuk mund të hapet. Edhe pse, fillimisht, ishte mohuar ekzistenca e dokumentit të Treshes, partitë politike shprehen se disa nga pikat e dokumentit, megjithatë, janë në një vijë me qëndrimet e palës kosovare. Sipas dokumentit 14 pikësh të Treshes së Grupit të Kontaktit, Beogradi nuk do të qeverisë më Kosovën, e as nuk do të ketë prani fizike, ndërsa Prishtina nuk do të pengohet nga qasja e saj në institucionet financiare ndërkombëtare. Dokumenti, ekzistenca e të cilit u konfirmua nga anëtari i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, parasheh ndërlidhje mes Prishtinës e Beogradit në dimensionet historike, ekonomike, kulturore e humane. Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vehbi Miftari, thotë se për palën kosovare pavarësia e Kosovës mbetet e panegociueshme. Megjithatë, sipas zëdhënësit të partisë në pushtet, me dokumentin e Treshes, rezultat i fundit duket të jetë pavarësia. “Ne nuk shohim shkëputje të madhe mes shumicës së pikave që janë dhënë në këtë dokument dhe rezultatit të deritanishëm të pavarësimit të vendit . Megjithëse, pavarësia nuk përmendet, ajo është e kuptueshme. Dhe, një lloj përafrimi drejt saj, ne e shohim edhe nga pikat që janë dhënë në këtë dokument”, thotë Miftari. Ai thotë se e rëndësishme është se ky dokument parasheh raporte si dy shtete ta pavarura mes Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësues të opozitës konsiderojnë se çdo gjë që është përtej pavarësisë së Kosovës, nuk do të pranohet. Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se nuk është në mandat të Ekipit të Unitetit të negociojë pavarësinë e Kosovës. “Ka pika, të cilat edhe mund të konsiderohen, por, në përgjithësi, pala kosovare ka vetëm një mandat, e ai është jetësimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Pala kosovare ka bërë të gjitha kompromiset e mundshme për pavarësinë e Kosovës. Më tej se pakoja e Ahtisaarit dhe traktati për miqësi të mirë nuk mund të shkohet”, thekson Çitaku. Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konfirmon se kjo parti ka shqyrtuar me kujdes 14 pikat e dokumentit të Treshes dhe ka kërkuar nga Ekipi i Unitetit që të mos lejojë që këto pika të bien ndesh me pakon e Ahtisaarit dhe me vullnetin politik të popullit të Kosovës. “AAK-ja, qëndrimet e veta ia ka paraqitur kryeministrit. Ajo që kemi thënë në vazhdimësi, është se ne përkrahim Ekipin e Unitetit, derisa ata të qëndrojnë prapa vullnetit politik për pavarësi”, tha Tahiri. Përfaqësuesit e partive politike thonë se dokumenti nuk ka karakter imponues dhe shfaqin shpresën se Treshja nuk do të shkojë përtej mandatit të saj, për të propozuar zgjidhje për statusin. Por, analistë kosovarë kritikojnë këtë dokument, duke shprehur shqetësimin se fakti që Treshja propozon që mos të ketë prani fizike të Serbisë në Kosovë, nuk e mohon atë më të rëndësishmen, praninë juridike, e cila mund të aktivizohet në një moment tjetër politik.

XS
SM
MD
LG