Ndërlidhjet

VJENË


Sot në Vjenë mbahet takimi i tretë i drejtpërdrejtë i Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Treshes së Grupit të Kontaktit. Më herët, Treshja e përbërë nga Frank Wisner, Wolfgang Ischinger dhe Aleksandr Botsan-Kharchenko, bisedoi ndaras me delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit.
Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skender Hyseni tha pas takimit se dokumenti 14-pikësh i Treshes, në pjesën më të madhe i përmban qëndrimet e Prishtinës. Ai tha se këto qëndrime gjenden edhe në traktatin, të cilin Prishtina ia propozon Beogradit për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella. Hyseni theksoi se Prishtina dëshiron që Kosova të jetë e pavarur me ulëse në Kombet e Bashkuara, dhe për këtë "nuk negociohet".
Kryetari i PDK Hashim Thaçi tha se 10 dhjetori është afati i fundit për takimet Prishtinë-Beograd, dhe pas kësaj date është koha për vendimin mbi pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e SHBA, BE dhe Rusisë u takuan edhe me delegacionin e Beogradit. Pas takimit, ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Sllobodan Samarxhiq tha se pala serbe ka prezantuar një dokument, si përgjigje ndaj 14 pikave të dokumentit të Treshes negociatore. Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, tha se përshtypja kryesore është se bisedimet kanë hyrë në fazën finale.
Para takimeve të sotme, u prononcua përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Wolfgang Ischinger. "Jemi më afër mos-marrëveshjes se sa marrëveshjes", tha diplomati gjerman, për të shtuar se ai "ende nuk është i frustruar", meqë asnjëra nga palët ende nuk e ka bllokuar procesin.
Treshja ka dalë me dokumentin 14 pikësh për të hyrë në një fazë të re të bisedimeve për statusin e Kosovës, tha Ischinger, për të sqaruar se me këtë dokument, Treshja e ka ndërmarrë iniciativën. Ai tha se mandati i Treshes përfundon pas 10 dhjetorit, dhe detyra e saj është që në këtë datë t'i paraqesë raportin sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 10 dhjetor, Ischinger tha se në atë rast, Treshja mund të shkojë në pushim vjetor, ndërsa procesin e merr përsipër Grupi i Kontaktit.
XS
SM
MD
LG