Ndërlidhjet

PUNËTORËT E GJYKATAVE NË GREVË PËR PAGA MË TË LARTA


Arton Konushevci

Punëtorët e administratës së sistemit gjyqësor në Kosovë kanë filluar një grevë për rritje të pagave. Këshilli grevist pohon se ka paralizuar punën e gjykatave në tërë Kosovën. Milaim Bislimi, kryetar i Këshillit grevist, ka njoftuar se një vendim i tillë është ndërmarrë për shkak të kushteve të vështira dhe pagave të ulëta të punëtorëve në administratën e gjyqësorit. “Kërkesat kryesore të Këshillit, shumica e dinë, janë rritja e pagave qind për qind, si dhe 60 euro në nivelin mujor për shujtën e ngrohtë. Këto do të ishin kërkesat kryesore. Përveç këtyre kërkesave, Këshilli grevist ka dashur t’i sensibilizojë edhe disa kërkesa të tjera, të cilat konsiderojmë se janë të rëndësishme për zgjidhjen e këtyre problemeve. Jo vetëm judikatura, por në të gjitha nivelet sigurimi shëndetësor nuk është. Edhe, ekziston një dozë mjaft e madhe që dikush do të largohet nga puna”, u shpreh Bislimi. Në anën tjetër, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Halit Muharremi, thotë se në grevë nuk janë futur të gjithë punëtorët e administratës së gjyqësorit dhe, sipas tij, puna në gjykata është paralizuar vetëm pjesërisht. Ai thotë se kërkesat e punëtorëve për rritje pagash janë shqyrtuar dhe është rekomanduar mosfutja në grevë, për shkak se buxheti i kufizuar nuk lejon rritje të pagave. "Kemi thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe aty është diskutuar rreth kërkesave. Kemi dalë në përfundim që t’i rekomandojmë sindikatës të mos futen në grevë. Nëse do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të rritjes së pagave, ne, si menaxhues të sistemit gjyqësor të Kosovës, do të bëjmë shpërndarjen e rritjeve", tha Muharremi. Por, të kundërtën e thotë kryetari i Këshillit grevist, i cili konsideron se ka mundësi për rritjen e pagave. "Këshilli gjyqësor nuk do t’i japë ato informata; diku 12 milionë mjete i derdh në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës. Ndërsa, nga buxheti i Kosovës, shpenzojmë 10 milionë e 500 mijë. Për 1 milion e 500 mijë, ata janë në fitim prej nesh. Do me thënë, ka mundësi të dilet, duke marrë parasysh se ne japim para aty”, tha Bislimi. Ndërkaq, Halit Muharremi thotë se rritje eventuale të rrogave mund të këtë, nëse ligji mbi buxhetin, që pritet të miratohet në nëntor, parasheh të hyra më të mëdha buxhetore për vitin 2008. "Mjete rezervë për momentin nuk ka. E kemi marrë prononcimin edhe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe ata na kanë deklaruar se nuk do të ketë rritje", tha Muharremi. Kurse, ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Jonuz Salihaj, thotë se rritja e pagave për punëtoret e administratës së gjyqësorit në Kosovë është paraparë të bëhet në vitin e ardhshëm. "Kjo do të jetë e paraparë në buxhetin e vitit 2008. Qeveria do ta korrigjojë këtë buxhet, do të kemi pak më shumë para, pak më shumë fonde dhe besoj se do të rregullohet. Mirëpo, kjo ka mundur të bëhet edhe me një ndërhyrje më të shpejtë. Unë nuk përkrah kurrfarë greve, se greva nuk është e mirë të bëhet në gjyqësorë dhe të paralizohen misionet e drejtësisë. Por, ne do t’i përkrahim kërkesat e ligjshme dhe të argumentuara”, theksoi ministri Salihaj. Sidoqoftë, kreu i Këshillit grevist thotë se greva nuk do të ndërpritet deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve. Greva e punonjësve të administratës së gjyqësorit pason atë të sindikalistëve të arsimit, të cilëve, pas 9 ditë grevë urie, Qeveria ua plotësoi kërkesat për rritje pagash për shërbyesit civilë vetëm për tremujorin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG