Ndërlidhjet

VJENË


Sot në Vjenë u mbajt takimi i tretë i drejtpërdrejtë i Prishtinës dhe Beogradit. Takimi u ndërmjetësua nga Treshja e Grupit të Kontaktit, e përbërë nga përfaqësuesi i SHBA, Frank Wisner, përfaqësuesi i BE, Wolfgang Ischinger dhe ai i Rusisë, Aleksandr Botsan-Kharchenko.
Pas takimit, kryeministri Agim Çeku tha se oferta e Beogradit për statusin e Kosovës është kthyer kah e kaluara, dhe shtoi se "këtu bisedohet" për të ardhmen e Kosovës, Serbisë dhe rajonit. Çeku tha se palët janë larg njëra-tjetrës, sepse Serbia e propozon statusin e mëparshëm, e jo statusin e ardhshëm të Kosovës.
"Kemi dy koncepte të ndryshme, njëri i lidhur me të kaluarën, tjetri me të ardhmen", tha Çeku. "Rezultati i asaj që ofrojnë është shumë më i keq se sa ajo që u është ofruar me paketën Ahtisaari. Ende kanë kohë ta pranojnë planin e Ahtisaarit si zgjidhjen më të mirë të mundshme", tha Çeku, duke i bërë thirrje Beogradit të mos shohë prapa por kah ardhmëria, dhe të mësojë nga e kaluara.
Çeku tha se Prishtina dhe Beogradi nuk duhet të dakordohen rreth pavarësisë, sepse ajo tashmë është shqyrtuar dhe mbështetur nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare. "Ajo që ne ofrojmë është që të zhvillojmë marrëdhënie normale", tha Çeku.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç tha se takimi i ardhshëm i Prishtinës dhe Beogradit do të mbahet më 5 nëntor në Vjenë.
"Mendoj se pas këtij raundi mund të themi se procesi vazhdon", tha Jeremiç, duke shtuar se bisedimet e sotme në Vjenë me palën shqiptare ishin të vështira.
Ai tha se pala serbe ka shprehur rezerva ndaj disa prej 14-pikave, të cilat i prezantuan ndërmjetësuesit e Treshes ndërkombëtare. "Ne shprehëm bindjen tonë të plotë se nuk mund të vazhdojmë procesin drejt gjetjes së kompromisit, nëse njëra palë kërcënohet me zgjidhje të njëanshme", tha Jeremiç.
XS
SM
MD
LG