Ndërlidhjet

KOSOVARËT THONË SE TAKIMI I VJENËS DËSHMOI THELLIM TË KRIZËS NË NEGOCIATAT PËR STATUSIN


Albana Isufi

Takimi i djeshëm mes Prishtinës dhe Beogradit, që nën ndërmjetësimin e Treshes së Grupit të Kontaktit u mbajt në Vjenë, shihet nga zyrtarë dhe analistë kosovarë si një dëshmi, se nuk mund të ketë pajtim mes palëve për çështjen e statusit dhe se çdo shtyrje e mëtejme e zgjidhjes së statusit vetëm sa do ta komplikojë më shumë situatën. Këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se takimi i djeshëm i palëve, i cili u përshkua me tensione dhe u konsiderua si më i rëndi edhe nga vetë anëtarët e Ekipit Negociator, dëshmon për një thellim të krizës. “Çdo zvarritje e vendimit për statusin vetëm sa do ta thellojë krizën, jo vetëm në tryezën e bisedimeve, por edhe në situatën e brendshme në Kosovë. Prandaj, vazhdimi i mëtejmë i këtyre bisedimeve, pas datës së caktuar, nuk do të sjellë asgjë të re. Dhe, kjo u tregua në mënyrë shumë praktike edhe nga takimi i djeshëm. Institucionet e Kosovës do të gjenden përballë një situate kur do të duhej të merren vendime, por edhe bashkësia ndërkombëtare gjithnjë po i afrohet kësaj situate, kur do të duhej të marrë një vendim të prerë rreth statusit të Kosovës”, thotë Qirezi. Në anën tjetër, analisti politik kosovar, Lulzim Peci, konsideron se me paraqitjen e dokumentit 14 pikësh, Treshja ndërmjetësuese ka hapur një fazë të re të negociatave, ndërsa palët, me afrimin e 10 dhjetorit, kanë rritur retorikën e tyre. “Unë mendoj se takimi i djeshëm është rrjedhë normale e pozicioneve kontradiktore mes Prishtinës dhe Beogradit. Mirëpo, ajo çka po dëshmon kjo është se po rritet retorika dhe niveli i intensitetit të retorikës mes dy palëve po rritet, meqenëse edhe jemi duke iu afruar 10 dhjetorit. Në këtë pikë, pozicioni i Serbisë ka filluar të bëhet edhe më agresiv, që mund të ketë reperkusione edhe në terren”, tha Peci. Dokumenti 14 pikësh, i ofruar nga Treshja negociatore, është shqyrtuar nga pala kosovare, e cila ka thënë se disa pika të tij, janë të pranueshme, përderisa pala serbe e ka hedhur poshtë në tërësi atë. Në këtë dokument, ndër të tjera thuhet se Beogradi nuk do të ketë prani fizike dhe nuk do ta qeverisë më Kosovën. Qirezi thotë se pala kosovare ka pranuar t’i diskutojë 14 pikat e Treshes, vetëm si bazë për të vazhduar diskutimet deri më 10 dhjetor. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se nuk mund të pranohet asnjë dokument, në të cilin nuk përmendet Rezoluta 1244. Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se dokumenti më i ri i Treshes është një zgjerim i parimeve të Grupit të Kontaktit, por pa përmendur rezolutë. “Treshja ka vepruar ashtu që procesi i negociatave të vazhdojë pa u përmendur rezoluta, as pavarësia dhe asgjë që do të prejudikonte zgjidhjen e statusit, në mënyrë që palët të mund të jenë të përfshira në proces. Në këtë aspekt, kjo mund të jetë e drejtë, megjithatë, një koncept i tillë është i papranueshëm për aq kohë sa nuk përmendet Rezoluta 1244”, tha Veliq. Analisti Lulzim Peci thotë se as për palën kosovare, dokumenti nuk është i favorshëm. Përkundrazi, zoti Peci parasheh pasoja në terren, nëse dokumenti i tillë imponohet nga komuniteti ndërkombëtar. “Është një dokument që shumë më tepër e komplikon zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe relacionet e saj me Serbinë në të ardhmen, sesa që do të zgjidhë probleme, sepse parashihen shumë fusha të bashkëpunimit dhe praktikisht, në një formë, kanë edhe karakter të bashkëqeverisjes. Dokumenti si i tillë, në bazë të mendimit tim, shumë më tepër ka ngjyrë të konfederatës, sesa që ka ngjyrë të bashkëpunimit të shteteve që janë të pavarura komplet njëra prej tjetrës”, theksoi Peci. Analistët nuk shohin se do të ketë përparime në raundet tjera të bisedimeve, më 5 dhe 20 nëntor, por vetëm distancim edhe më të madh të qëndrimeve të palëve.

XS
SM
MD
LG