Ndërlidhjet

QYTETARËT: BISEDIMET – HUMBJE KOHE, TË SHPALLET PAVARËSIA


Arton Konushevci

Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e statusit janë humbje kohe dhe nuk do të sjellin ndonjë rezultat, thonë qytetarët. Shumica e qytetarëve mendojnë se bisedimet duhet të ndërpriten dhe të shpallet pavarësia e Kosovës. Besnik Jusufi mendon se pala kosovare duhet të jetë më e guximshme në vendimet e veta dhe ta shpallë pavarësinë, sepse, sipas tij, nuk mund të arrihet marrëveshje me serbët. “Unë mendoj se duhet të shpallet pavarësia. Edhe shtetet e mëdha, kur ta shohin guximin tonë dhe vendosmërinë e Kosovës, nuk besoj se kanë për të na kundërshtuar. Bisedimet duhet të ndërpriten, sepse prej tyre nuk po arrihet asgjë”, thotë zoti Jusufi. Heset Krivaneva, nga Kaçaniku, thotë se me serbët, jo për 120 ditë, por edhe për 120 vjet nuk mund të arrihet kurrfarë marrëveshjeje. “Jo, jo, absolutisht me serbët, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare mendoj që jo. Jo 120 ditë që janë paraparë në bisedimet e fundit, por edhe 120 vjet po të ishin, këto pozicione do të jenë”, shpreh mendimin e tij zoti Krivaneva. Ndërsa Nysret Manxhera, nga Mitrovica, thotë se në këto bisedime, pala kosovare duhet të jetë shumë e qartë dhe e vendosur. Ai thotë se ka kaluar koha që për Kosovën të vendosë dikush tjetër. “Personalisht, mendoj se faktori politik kosovar duhet të jetë i qartë dhe i prerë në këto biseda. Duhet t’i bëhet me dije edhe botës, edhe kundërshtarëve, se ka kaluar koha kur populli i Kosovës nuk ka mundur të vendosë për vetveten. Besoj se duhet ta marrim punën në duart tona dhe të vendosim për atë që është dhënë dhe sakrifikuar shumë në Kosovë”, u shpreh zoti Manxhera. Lumnie Maloku, nga Prishtina, thotë se është duke u humbur shumë kohë me bisedimet, ndërsa nuk ka zgjidhje të asnjë problemi. Ajo thotë se meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e përkrahin pavarësinë e Kosovës, me Serbinë nuk ka pse të bisedohet. “Unë mendoj se vërtet është duke u humbur kohë me bisedime. Është folur mjaft deri tash. Më duket se është duke u humbur shumë kohë. Me Serbinë nuk mund të merremi vesh në asnjë aspekt. Ata nuk e pranojnë pavarësinë si diçka që realisht është dhe shihet. Bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të e pranojnë. Mendoj se me Serbinë nuk ka për çka të flitet”, thotë zonja Maloku. Shaban Grabovci thotë se duhet të ndërpriten bisedimet, pasi ato nuk janë duke dhënë rezultat. Faktori ndërkombëtar, sipas tij, duhet të ndërmarrë një vendim dhe të përfundojë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është përafërsisht i afërt me pakon e Ahtisaarit. Kështu që pala kosovare është prononcuar dhe për mendimin tim është gjithçka e kryer. Duhet të ndërpriten bisedimet dhe të merren hapa konkretë për definimin e statusit; edhe ndërkombëtarët ta kryejnë punën e tyre, edhe vendorët”, porosit zoti Grabovci. Ndryshe mendon Gent Berisha, i cili thotë se nuk duhet ngutur me shpalljen e pavarësisë para 10 dhjetorit, kur edhe përfundojnë negociatat. “Unë mendoj se do të ishte mirë të vazhdojnë bisedimet. Pasi që kanë vazhduar deri më tash, edhe le të përfundojnë. Pasi që është nisur kjo punë, do të ishte mirë edhe të përfundojë”, thotë zoti Berisha. Qefsere Avdyli thotë se bisedimet kanë qenë të panevojshme. “Mendimi im është që bisedimet mos të vazhdojnë dhe të shpallet pavarësia e Kosovës”, thekson zonja Avdyli.
XS
SM
MD
LG