Ndërlidhjet

VAZHDIMI I GREVËS PARALIZON PUNËN NË GJYKATA


Nadie Ahmeti

Ka hyrë në ditën e dytë greva e përgjithshme e punëtorëve të administratës së sistemit gjyqësor, në kërkim të rritjes së pagave qind për qind. Milaim Bislimi, kryetar i Këshillit grevist, tha se puna në gjykata është paralizuar gati 98 për qind në nivel të Kosovës dhe nuk do të stabilizohet deri në realizimin e kërkesave të tyre. Madje, thotë ai, në disa komuna kanë filluar të solidarizohen me grevistët edhe prokuroritë. “Greva është reale dhe mundësitë janë reale për të dalë nga kriza. Besoj se do të dalim nga kriza dhe besoj se shumë shpejt do të zgjidhet ky problem”, u shpreh zoti Bislimi. Ai thotë se Qeveria e Kosovës është treguar neglizhente ndaj sistemit gjyqësor. Dhe, për këtë, shton Bislimi, punëtorët e këtij sistemi kërkojnë edhe nivelizimin e pagave me punëtorët e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës. “Ne dëshirojmë të jemi të barabartë, sepse ashtu jemi. Tri shtylla kryesore, në mesin e atyre shtyllave është edhe Këshilli Gjyqësor, si organ i pavarur”, pohon zoti Bislimi. Edhe Anton Nokaj, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, thotë se kërkesat e grevistëve janë shumë reale, megjithatë, ai kërkon që greva të ndërpritet. Ai pohon se kjo grevë duhet të jetë si shenjë presioni ndaj Qeverisë, që t’i shikojë mundësitë, që pagat e punëtorëve të sistemit të drejtësisë të barazohen me dy pushtetet tjera. “Unë kam insistuar që ajo të ndërpritet dhe të jetë një paralajmërim për qeveritarët tanë, që të marrin masa dhe të kenë kujdes; së paku, një trajtim të barabartë me administratën e përgjithshme në Kosovë. Kështu që tash është çështje e grevistëve se si do të veprojnë, por administrata e gjykatës duhet t’ia fillojë punës dhe ne ta kryejmë punën tonë”, tha zoti Nokaj. Ndryshe, edhe ekspertë të drejtësisë thonë se gjendja në sistemin e drejtësisë është jashtëzakonisht e rëndë. Ismet Salihu thotë se përballë punës së tyre të rëndë, pagat dhe trajtimi i tyre është tepër i ulët. Ai, ndërkaq thotë se kërkesat e punëtorëve të juridikaturës janë shumë të drejta, por koha e mbajtjes së grevës, sipas tij, nuk është e duhur. “Trajtimi joadekuat, fare i dobët; mandej, nuk kanë kurrfarë sigurie, sidomos gjykatësit, prokurorët që punojnë me njerëz të rrezikshëm, me kriminelë“, shprehet zoti Salihu. Halit Muharremi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke arsyetuar kërkesat e grevistëve, thotë se kërkesat për rritje pagash janë shqyrtuar, por realizmi i tyre kërkon shumë kohë. Megjithatë, ai pohon se edhe buxheti i kufizuar i Kosovës, aktualisht nuk lejon një rritje të tillë. “Zgjidhja e tyre kërkon edhe nxjerrje të ligjeve të reja, edhe harmonizim apo ndryshim të legjislacionit aktual. Dhe, një pjesë e kërkesave ndërlidhet me fuqinë buxhetore që ka Kosova”, thotë zoti Muharremi.
Pagat në sistemin e gjyqësisë fillojnë nga 135 euro që merr referenti, deri në 400 euro pagë mujore që merr një gjykatës. Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave kanë deklaruar se është e vështirë të ketë rritje pagash, për shkak të kufizimeve buxhetore.
XS
SM
MD
LG