Ndërlidhjet

KUPCHAN:"PARA OSE PAS VITIT TË RI FILLON NJOHJA E NJËANSHME E PAVARËSISË SË KOSOVËS"


Charles KUPCHAN, Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme/Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kupchan, negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i afrohen fazës së tyre finale, por ende nuk ka ndonjë kthesë të madhe në bisedimet.
A pritni që diçka të ndryshojë në të ardhmen?

CHARLES KUPCHAN
Unë nuk po shoh ndonjë rreze drite, e cila do të sugjeronte se po ecim drejt një marrëveshjeje konsenzusi. Pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë ndryshuar shumë pak ose aspak që nga fillimi i negociatave kur Ahtisaari ishte ndërmjetësuesi kryesor. Prandaj mendoj se ka një mundësi nga jashtë për të bërë ndonjë kthesë, por ndërkohë besoj që amerikanët dhe evropianët janë duke u përgatitur për mundësinë e bllokadës dhe për hapat, të cilat do të duhej t'i ndërmarrin pas 10 dhjetorit, nëqoftëse nuk do të ketë lëvizje.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit e Kosovës kërkojnë pavarësi të plotë. Liderët serbë ofrojnë autonomi të plotë. A është e mundur sipas jush, që të arrihet ndonjë kompromis ndërmjet këtyre pozicioneve?

CHARLES KUPCHAN
Jo, nuk mendoj se mund të ketë kompromis për arsyen e thjeshtë sepse pikëpamja e Prishtinës është asgjë më pak se pavarësia e plotë, nën të cilën, de jure dhe de facto, Kosova nuk është më pjesë e Serbisë. Nga ana tjetër, serbët thonë: "Do t'u japim autonominë e plotë, ju do ta udhëhiqni territorin tuaj, por de jure, ju do të mbeteni pjesë e Serbisë".
Çështja e vetme mbi të cilën mund të arrihet një farë marrëveshje konsenzuale mund të ishte ndarja e Kosovës, por me kusht që Prishtina të lejonte shkëputjen e Kosovës veriore, ndërsa Beogradi të dakordohej, meqë kjo pjesë është kryesisht e banuar me serbë. Por mendoj se gjasat për këtë janë shumë të pakta, sepse nga të gjitha palët, nga bashkësia ndërkombëtare, nga Prishtina dhe nga Beogradi, po dëgjoj se ndarja nuk është në tavolinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kupchan, Rusia ka hedhur poshtë çdo afat për bisedimet, por zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se pas 10 dhjetorit, emisarët nga SHBA, BE dhe Rusia duhet t'i raportojnë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
A mendoni se çështja sërish mund të shkojë në Këshillin e Sigurimit?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se çështja përsëri do të shkojë në Këshillin e Sigurimit, të paktën për arsye procedurale, sa për të thënë se bisedimet aktuale po zhvillohen nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, se ekipi do t'i raportojë prapë Kombeve të Bashkuara, ndërsa në kuptimin legal, rezoluta 1244 edhe i ofron bazat për shqyrtimin e statusit final.
Por nëqoftëse Rusia vazhdon të pohojë se do t'i vërë veto çdo hapi drejt pavarësisë, atëherë mendoj se do të shohim se si Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do ta zhvendosin lojën jashtë Këshillit të Sigurimit, dhe me gjasë do të vazhdojnë me njohjen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në javët që do të pasojnë raportin në Këshillin e Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit e Kosovës disa herë kanë thënë se mund ta shpallin pavarësinë pa marrë parasysh epilogun e bisedimeve. Çfarë në të vërtetë ju pritni të ndodhë pas 10 dhjetorit?

CHARLES KUPCHAN
Nëse gjithçka shkon sipas planeve të formuluara aktualisht, do të ketë një periudhë pas 10 dhjetorit, gjatë së cilës diskutimet do të vazhdojnë. Mendoj se brenda BE-së tash po bëhen përpjekje që sa më shumë vende të njohin deklaratën e Prishtinës për pavarësinë e njëanshme. Pres që kjo të ndodhë pas 10 dhjetorit. Ndoshta nga fundi i dhjetorit apo nga fillimi i vitit të ri, Kosova mund të lëvizë drejt pavarësisë, kështu që do t'u mbetet vendeve individuale që ta njohin atë pavarësi. Mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë këtë menjëherë, dhe kështu do të veprojnë shumë vende të BE-së, ndoshta 20 apo më shumë nga 27 vendet anëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kupchan, kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica, së fundi e ka fajësuar Uashingtonin se po e bllokon marrëveshjen e kompromisit. Çfarë është komenti juaj për këtë?

CHARLES KUPCHAN
Do të doja të jem optimist rreth kompromisit, por nuk kam parë indicie se ndonjë propozim konkret do t'i kënaqte të dyja palët, Prishtinën dhe Beogradin. Gjithashtu mendoj se nga pikëpamja e politikanëve serbë, do të ishte vetëvrasje politike nëse do ta miratonin shkëputjen e Kosovës. Ka disa anëtarë të qeverisë të cilët nuk e miratojnë, por e kuptojnë se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Ata më shumë parapëlqenin që ajo t'u imponohet nga jashtë, se sa ta përkrahin nga brenda, thjesht, për arsye se kjo ua lehtëson punën politikisht. Sidoqoftë, pres që të shoh një përplasje nacionaliste në mbarë spektrin politik të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kupchan, Uashingtoni ka pozicion të qartë, e mbështet pavarësinë e Kosovës. Rusia është kundër kësaj. Si e shihni rolin e Bashkimit Evropian në gjithë këtë?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se pozicioni rus është pak më i çuditshëm. Rusia vërtetë nuk ka ndonjë interes të qartë në Kosovë. Putini përpiqet të flasë për mesazhe që mund t'u dërgohen rajoneve tjera, të cilat kërkojnë shkëputje, por mendimi im është se kjo ka të bëjë me shfaqje të muskujve ndaj Uashingtonit.
Sa i përket Bashkimit Evropian, ndjenja ime është se miratimi i pikëpamjes së njëjtë me Shtetet e Bashkuara është më i ndërlikuar, për shkak se vendet që kanë problemet e tyre të brendshme etnike apo rajonale, kanë mendime tjera për pavarësinë e Kosovës. Por palët kryesore në BE, vendet që ishin angazhuar në Ballkan që nga koha e shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e 90-ta, në përgjithësi e mbështesin qëndrimin qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Prandaj, mendoj se do të gjendemi në një situatë të ngjashme me atë që kishim për luftën në Kosovë në vitin 1999: Nuk do të ketë rezolutë të Kombeve të Bashkuara, Rusia do të kundërshtojë, por konsenzusi transatlantik do të shihet sikur ofron legjitimitet të nevojshëm për të vazhduar me atë që qartësisht do të jetë një zhvillim kundërthënës ndërkombëtar.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG