Ndërlidhjet

PRISHTINA THOTË SE BEOGRADI E KA KUPTUAR QË ZGJIDHJA E VETME ËSHTË PAVARËSIA E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Delegacioni i Kosovës është kthyer sot nga Vjena me vlerësimet se takimi i djeshëm me Beogradin nuk ka sjellë ndonjë të re në procesin negociues. Në takimin e fundit në Vjenë, anëtarët e Ekipit Negociues thanë se nuk kanë biseduar me Beogradin për të ardhmen dhe statusin e Kosovës, por se në këtë takim, palët sërish vetëm i kanë prezantuar pozicionet e tyre. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Treshja ndërkombëtare u ka prezantuar të dy delegacioneve edhe një dokument pune prej 14 pikave, si konkluzione ndërkombëtare nga pozicionet e deritashme të palëve. Por, Sejdiu e përjashtoi mundësinë që të rihapet për diskutim pakoja e Ahtisaarit dhe e përjashtoi si mundësi që ky dokument 14 pikësh ta parashikojë me diçka statusin e Kosovës. “Ne, me traktatin, i kemi provizionet e pakos së Ahtisaarit dhe gjithë fryma që është përcjellë në pakon Ahtisaarit është aty (në atë dokument). Këto pikat mund të jenë një përfolje në pika të caktuara dhe nuk mund të ndryshojnë nga ai koncept që ne e kemi“, u shpreh presidenti Sejdiu. Ai sqaroi në vazhdim se takimi i fundit në Vjenë është përshkuar edhe me replika ndërmjet delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës. Këtu, presidenti Sejdiu veçoi përdorimin e një retorike politike të Beogradit, që, siç tha ai, nuk ka të bëjë me realitetin dhe që i përket një kohe të shkuar. ”Një fjalor që ata e përdorën e që është i tejkaluar dhe krijon barrë për procesin..., pra, një gjuhë si ‘Kosova është provincë serbe’, ‘Kosova e Metohia’, ‘nuk do t’ju njohim asnjëherë’... Këto janë ato konteste apo ato diskurse. Ne ua kemi thënë atë se çfarë jemi, cili është vullneti politik i Kosovës dhe që sovraniteti dhe vullneti i popullit të Kosovës do të realizohet”, tha Sejdiu. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se procesi i statusit po hyn në fazën përmbyllëse para se të merren vendimet historike për pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Prishtina vetëm e ka rikonfirmuar pozicionin e saj para Beogradit dhe para Treshes ndërkombëtare, se Kosova është e vendosur të shkojë përpara drejt ndërtimit të shtetit të pavarur e sovran. “Kemi diskutuar për rregullimin shtetëror të Kosovës, por assesi se cili do të jetë statusi, sepse gjithçka është e qartë, edhe për Uashingtonin, edhe për Brukselin, edhe për Prishtinën, e besoj edhe për Beogradin, se Kosova definitivisht do të pavarësohet”, theksoi Thaçi. Në anën tjetër, kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, tha se pozicioni serb për autonominë e Kosovës në kuadër të Serbisë, jo vetëm që nuk mund të pranohet për diskutim nga Prishtina, por ky opsion, sipas tij, ka rënë nga debati edhe në qendrat ndërkombëtare. ”Njëri prej faktorëve që ndikoi që kjo mbledhje të jetë e rëndë është tolerimi që të vazhdojë i njëjti rrëfim i Beogradit, që nuk çon askund. Ne kemi tërhequr vërejtjen për këtë dhe shpresojmë se në mbledhjen e ardhshme do të kemi një qasje më të mirë”, tha Surroi. Anëtarët e Ekipit të Unitetit thanë se deri më 10 dhjetor, kur përfundon procesi shtesë negociues, kanë mbetur edhe tre takime me Beogradin. Ndërkaq, pas kësaj date, ata u shprehën të bindur se do të pasojë vendimi për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare.


XS
SM
MD
LG