Ndërlidhjet

GATES: KOSOVA MBI TË GJITHA ËSHTË PROBLEM I BE-SË DHE NATOS


Shefi i Pentagonit flet ekskluzivisht për REL

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, në një intervistë ekskluzive për REL, tha se problemi i Kosovës është para së gjithash një problem evropian. Duke komentuar kundërshtimet në qëndrime mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë lidhur me Kosovën, Gates theksoi:
"Kosova, mbi të gjitha, është çështje evropiane dhe e NATO-s. Mbi të gjitha, është çështje e Bashkimit Evropian dhe për të gjithë evropianët. Nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që kërkojnë nga Rusia të marrë një qëndrim të caktuar, por janë evropianët gjithashtu."
Nga ana tjetër, Gates theksoi se Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian, ashtu siç e kërkon dhe interesi ekonomik i Beogradit. I pyetur nëse e shqetëson mundësia e një strukture alternative sigurie që mban vulën ruse, e cila mund të fusë nën kontroll dhe Serbinë, Gates theksoi: "Nuk përbën shqetësim për mua se e di që nuk do jenë të suksesshëm edhe nëse rusët po përpiqen. Serbia e di se interesat e saj janë me Evropën dhe BE-në dhe jo në lidhjet e së shkuarës me lindjen."
"Marrëdhëniet politike Rusi - Serbi janë të fuqishme dhe datojnë që nga para Luftës së Parë Botërore. Por, Serbia mund t'i ketë të dyja. Të ketë marrëdhënie miqësore me Rusinë, derisa interesat ekonomike të Serbisë lidhen me Evropën", tha shefi i Pentagonit. Sipas tij, mbetet një çështje e hapur nëse Rusia vërtet mendon se mund të krijojë një lloj strukture alternative sigurie apo një lloj mbrojtjeje nga ajo që Moska mendon se është ndikimi i NATO-s dhe perëndimit deri në kufijtë e saj. "Nuk jam i sigurt nëse kemi të bëjmë me veprime mbrojtëse apo sulmuese", tha Gates, i cili komentoi dhe zhvillimet demokratike në Rusi. Rusia e sotme është një vend shumë i ndryshëm krahasuar me ish- Bashkimin Sovjetik. Me gjithë shqetësimet për shkallën e autoritarizmit në Rusi, duhet të kuptojmë se demokracia nuk ndërtohet menjëherë dhe thjesht mbajtja e zgjedhjeve nuk do të thotë demokraci, nënvizoi në një intervistë eksluzive për REL, Sekretari amerikan i Mbrojtjes.
"Ne duhet t'i nxisim zhvillimet që kanë të bëjnë me lirinë dhe institucionet demokratike në Rusi. Njëherësh, duhet të kuptojmë se këto gjëra marrin kohë", tha Gates.
Ndërkaq gjatë ditës, pas takimit me kryeministrin e Çekisë, Mirek Topolanek, Gates foli dhe për programet e mbrojtjes raketore amerikane që do të vendosen në Evropën Qendrore, përkatësisht në Poloni dhe Çeki. Gates paralajmëroi mundësinë e shtyrjes së planit për aktivizimin e mbrojtjes raketore amerikane.
"Ne do të vazhdojmë me negociatat, do t'i përfundojmë ato dhe do ndërtojmë qendrat e mbrojtjes raketore. Ndoshta mund të shtyjmë aktivizimin e tyre derisa të kemi prova konkrete për kërcënimet nga Irani", tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, pas takimit me kryeministrin çek, Mirek Topolanek.
Gates shtoi se Uashingtoni i ka propozuar Rusisë të ketë një prani të sajën në vendet ku do vendoset mbrojtja antiraketore.
XS
SM
MD
LG