Ndërlidhjet

PRITJET E QYTETARËVE NGA ZGJEDHJET E 17 NËNTORIT


Bekim Bislimi

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 17 nëntorit do të fillojë nesër, ndërkaq do të ishte mirë që partitë politike t’i argumentojnë premtimet e veta dhe të mos përsërisin mënyrën e fushatës sikurse herëve të kaluara. Kështu thonë disa qytetarë të Prishtinës, të cilët shprehin mendimin se, me gjithë ndryshimin e sistemit të votimeve, i cili këtë herë do të bëhet me lista të hapura, nuk presin që subjektet politike do të ndryshojnë mënyrën e të udhëhequrit të fushatës parazgjedhore dhe diskursin gjatë kësaj fushate. Hasan Blaku pret që subjektet politike prapë do të bëjnë, siç thotë ai, premtime, të cilat vështirë se do të realizohen. “Gjithherë njësoj. Aktivitetet e tyre gjatë gjithë vitit flenë, ndërkaq tash, kur vjen fushata paraelektorale, kinse aktivizohen me disa rrugë, kinse po i rregullojnë. Argumente nuk kanë fare, se përndryshe, sikur të ishte ashtu siç duhet të jetë, do të duhej të zgjidhej papunësia, çështja sociale, çështja e pensionistëve. Mund ta merrni me mend një pensionist me 40 euro? Çfarë të bëjë me 40 euro?”, thotë zoti Blaku. Fehmi Isufi thotë se ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, partitë politike do ta kenë adut kryesor premtimin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por ai pret më shumë se kaq. “Nuk besoj se do ta ndryshojnë fjalorin. Prapë këta të vjetrit. Nëse të rinjtë marrin pjesë, ndoshta bëjnë ndonjë ndryshim, por nga të vjetrit pres pak, sepse asgjë nuk kanë ofruar deri tash. Moti kanë nisë të thonë ‘unë do t’ua sjell pavarësinë’, vetëm sa për t’i marrë votat. E tash, ne dëshirojmë që pavarësia të jetë e para, pastaj ekonomia, punësimi dhe këta të rinj të mos rrinë në rrugë. Më së shumti duhet të ketë argumente e jo premtime”, shpreh mendimin e tij zoti Isufi. Ngjashëm thotë edhe Mentor Krasniqi: “Prej pas luftës e deri në kohën e sotme, jemi mbushur me fjalët e tyre. Tash e tutje, se çfarë mund të bëhet, unë nuk mund ta di. Nuk mund të besoj asgjë nga ato çfarë kanë thënë politikanët tanë kosovarë. Shkurt...ata patën thënë se papunësia do të zhduket, e tash po e shohim edhe vetë. Çmimi i ushqimit, në radhë të parë, është katastrofal”. Ndërkaq, Shkurte Arifaj thotë se pret që gjatë fushatës parazgjedhore, subjektet politike konkurruese të jenë më të matura në premtimet e veta dhe pavarësisht pamundësive për realizimin e kërkesave, siç thotë ajo, të paktën të jenë të sinqertë. “Jemi mësuar që gjithmonë të japin premtime, të cilat ndoshta nuk janë realizuar asnjëherë. Mirëpo, tash e tutje, unë kisha pasur dëshirë, ashtu si edhe të gjithë qytetarët tjerë, që këto premtime, së paku disa prej tyre, të realizohen. Çfarë është më me rëndësi? Pika e parë, siguria; pika e dytë, të punësohen sidomos të rinjtë; pika e tretë, të ketë sigurim social-shëndetësor në nivel më të duhur. Shpresoj se ka në mesin e tyre njerëz të rinj, të aftësuar dhe që janë edhe të shkolluar, në të cilët mund të mbështetemi. Të shohim se si do të vejë puna“, thotë zonja Arifaj. Ndërsa, Rafet Halimi thotë se pavarësisht premtimeve gjatë fushatës parazgjedhore të partive politike, nuk pret ndryshime të mëdha në mënyrën e qeverisjes në Kosovë. “Jo, nuk pres ndryshime të mëdha prej partive, por pres ndryshime në qeverisje, ku të njëjtit njerëz që kanë qenë më herët, janë prapë në lista zgjedhore. Të njëjtit njerëz janë në Parlament dhe të njëjtit janë në lista tani. Nuk pres diçka të re, por pres vetëm zbatimin e ligjit në tërësi, sepse nëse nuk aplikohet ligji, prapë nuk do të kemi diçka të re”, shprehet zoti Halimi.

XS
SM
MD
LG