Ndërlidhjet

SI MENAXHOHET BUXHETI I KOSOVËS?


Nadie Ahmeti

Ekspertët për çështje ekonomike e konsiderojnë si të drejtë vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, se Qeveria e Kosovës nuk përballet me mungesë të mjeteve, por me paaftësi për shpenzimin e tyre në mënyrë më të mirë. Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se e gjithë kjo ndodh për shkak të mosplanifikimit të duhur dhe keqmenaxhimit të mjeteve të buxhetit. Zonja Kusari Lila thotë se kjo dëshmohet me faktin se Qeveria e Kosovës, në fund të vitit buxhetor, ka mjete të pashpenzuara, pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike dhe nivelit të lartë të varfërisë. “Duke e marrë parasysh mungesën e njohurive si dhe profesionalizimit në shumicën e rasteve të zyrave të prokurimit, nënkuptohet që këto mjete mbeten për fundvit, në mënyrë që të shpenzohen gati dosido dhe për qëllime që mbesin vetëm për interesa të ngushta. Andaj, pajtohem dhe nuk kemi se si të mos ballafaqohemi me një gjendje, e cila është gjendje faktike dhe e cila tregon joseriozitet dhe mosmenaxhim të duhur”, thotë zonja Kusari Lila. Në anën tjetër, Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit Për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, thotë se në dobësitë e planifikimit të mjeteve buxhetore, nuk merr pjesë vetëm Qeveria, por edhe vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Fondi përballet me probleme në Kosovë, për shkak të dobësive statistikore lidhur me treguesit makroekonomikë. Prandaj, edhe planifikimi i buxhetit po has në këto probleme të rëndësishme”, pohon zoti Mustafa. Ndërkaq, sa i përket shpenzimeve të mjeteve buxhetore, ai thotë se ekziston një keqmenaxhim, sidomos në projektet kapitale. “Sa i përket shpenzimeve të mjeteve, mendoj se problemi kryesor qëndron në menaxhimin e investimeve kapitale, ku ka ngecje të shumta. Ngecjet kanë të bëjnë më projektet prioritare, përgatitjen dhe menaxhimin e atyre projekteve”, thotë zoti Mustafa. Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të orientohet më shumë në investimet kapitale, sesa në ato të mallrave dhe shpenzimeve. Mimoza Kusari Lila thotë se përveç një planifikimi të duhur të buxhetit, duhet përcjellë edhe zbatimi i tij. “Janë dy forma, të cilat duhet ta përmirësojnë menaxhimin e buxhetit. E para është planifikimi i duhur i buxhetit në afatet kohore dhe e dyta është rritja apo shikimi i mundësive të rritjes së buxhetit të Kosovës. Unë refuzoj të pajtohem me faktin se të hyrat buxhetore në Kosovë duhet të jenë të limituara. Nëse politikat ekonomike shkojnë në favor të zhvillimit ekonomik, buxheti i Kosovës do të ketë më tepër të hyra”, pohon zonja Kusari Lila. Në rekomandimet e fundit të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për gjendjen ekonomike në Kosovë, përveç kritikave ndaj punës së Qeverisë, fondi ka dhënë edhe disa sinjale pozitive. Udhëheqës të fondit kanë deklaruar se Kosova mund të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar edhe nëse statusi i saj zgjidhet pa rezolutë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG