Ndërlidhjet

AAK DHE AKR NISËN FUSHATËN PARAZGJEDHORE


Albana Isufi

Fushata elektorale, sipas rregullave të Komisionit Qendror Zgjedhor, nis mesnatën e sotme, por disa parti politike kanë mbajtur që sot tubimet e para elektorale. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka premtuar se nëse i besohet sërish mandati qeverisës, do ta përmbyllë procesin e statusit final të Kosovës. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka siguruar se ky subjekt politik është i vendosur që të kontribuojë për një stabilitet politik, zhvillim ekonomik, rritje të buxhetit e sundim të ligjit. Isufi ka thënë se me vizionin dhe rolin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, AAK-ja është e gatshme t’i fitojë zgjedhjet parlamentare e lokale të 17 nëntorit. “AAK-ja është e gatshme ta marrë përgjegjësinë në mandatin e ri qeverisës, për ta përmbyllur procesin e bërjes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Është e gatshme për aprovimin e Kushtetutës së shtetit të Kosovës në Kuvendin e ri të Kosovës, për shpalljen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, për ftesën drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ta njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, është shprehur Isufi. Edhe pse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, aktualisht është në Tribunalin e Hagës, ku po zhvillohet procesi gjyqësor kundër tij, AAK-ja ka hyrë në fushatë me sloganin ‘Me Ramushin kryeministër’. AAK-ja, aktualisht, është në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nënkryetarja e LDK-së, Nekibe Kelmendi, ka përshëndetur sot tubimin elektoral të AAK-së, duke lënë të kuptohet, megjithatë, se prania e saj në këtë tubim nuk paragjykon partneritetin e LDK-së në të ardhmen. “Shpresoj se në të ardhmen do të kemi suksese më të mëdha, pa paragjykuar se me kë do të jemi në partneritet, por duke dëshiruar që në këto zgjedhje të dalin të gjithë qytetarët e Kosovës, që e kanë të drejtën për të votuar”, ka thënë Kelmendi. Në anën tjetër, edhe Aleanca Kosova e Re ka hapur sot fushatën zgjedhore. Kreu i këtij subjekti të ri politik, biznesmeni Behxhet Pacolli, ka premtuar një përmirësim të jetës së qytetarëve në të gjitha sferat. Nën sloganin ‘Një fillim i ri’, Pacolli u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen këtij subjekti politik, me qëllim, siç ka thënë ai, të kthimit të dinjitetit për kategoritë më të diskriminuara në Kosovë. “Këto janë synimet e mia, ta ndërtojmë një Kosovë dinjitoze, që çdokush të ketë mburrje dhe të ndjehet krenar që është qytetar i Kosovës. Mos ta përulim kokën asnjëherë”, ka thënë Pacolli. Këshilltari ndërkombëtar i AKR-së, njëherësh drejtor i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janusz Bugajski, ka thënë në këtë tubim elektoral se zgjedhjet e 17 nëntorit janë vendimtare për fatin e Kosovës. ”Besoj se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në Kosovë që nga çlirimi, në vitin 1999. Këto zgjedhje do të ndihmojnë në vendimin për të ardhmen e këtij vendi, vendit tuaj të ri e të pavarur. Kosova duhet të ecë drejt integrimit në BE e në NATO dhe drejt një marrëdhënieje të ngushtë me shtetin tim, SHBA-të”, tha Bugajski. Që të dy partitë kanë prezantuar sot kandidatët e tyre për deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe kandidatët për kryetar të Komunës së Prishtinës. AAK-ja për këtë post ka kandiduar Genc Merakun, ndërkaq AKR-ja, Ibrahim Makollin. Ndryshe, të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 17 nëntorit e kanë 97 subjekte politike, koalicione e kandidatë të pavarur.

XS
SM
MD
LG