Ndërlidhjet

logo-print

RUPEL: BE-JA NUK KA HEQUR DORË NGA PLANI I AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Bashkimi Evropian nuk ka hequr dorë dhe nuk e ka braktisur planin e Ahtisaarit për Kosovën, ka thënë sot në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel. Ndërkaq, dokumenti 14 pikësh i Treshes ndërmjetësuese në bisedime, sipas tij, ka për qëllim t’i plotësojë zbrazësitë ndërmjet palëve sa më shumë që të jetë e mundur. Rupel i ka bërë këto komente gjatë një vizite që i bëri sot Kosovës, me ç’rast është pritur nga udhëheqësit më të lartë vendorë dhe ata të pranisë ndërkombëtare. “Sllovenia është një mike tradicionale e Kosovës, ndërkaq me hyrjen e saj në Bashkimin Evropian, qëndrimet dhe politikat e saj ndërlidhen me qëndrimet e BE-së”, theksoi Rupel, pas takimit me Ekipin Negociator të Kosovës. Ai tha se do të dëshironte që statusi i Kosovës të zgjidhet këtë vit, por zhvillimi i procesit, sipas tij, me gjasë do të zgjasë edhe vitin tjetër. “Disa nga zhvillimet me rëndësi, mendoj se do të vazhdojnë edhe në kohën kur Sllovenia do të marrë kryesimin e radhës së BE-së”, tha Rupel. Ai nuk deshi të spekulojë asgjë për implikimet që do të ishin në pozicionin unik të Bashkimit Evropian, nëse Kosova do ta shpallte pavarësinë menjëherë pas 10 dhjetorit. “Në Treshen ndërmjetësuese, BE-ja e ka përfaqësuesin e vet dhe duhet të pritet se cili do të jetë rezultati i negociatave shtesë”, theksoi Rupel. “Në parim, uniteti në Bashkimin Evropian nuk do të duhej të ishte problematik. Natyrisht që ne kemi mospajtime si 27 vende anëtare, por kur është në pyetje statusi i Kosovës, jam i bindur se BE-ja do të dalë me qëndrim unik”, tha ministri i Jashtëm slloven. Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu tha se dokumenti 14 pikësh, që Treshja ua ka paraqitur palëve, nuk është dokument që e zëvendëson pakon e Ahtisaarit. Ky plan 14 pikësh, sipas tij, përmban konkluzionet e Treshes, që janë nxjerrë si përmbledhje nga pozicionet e palëve në bisedime. “Treshja nuk ka mandat që të japë ide dhe të imponojë zgjidhje për statusin e Kosovës. Prandaj, pakoja e Ahtisaarit është bazamenti, është dokument që nuk do të hapet dhe është dokument që do të derivojë në esencën e zgjedhjes së statusit të Kosovës”, tha presidenti Sejdiu. Ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, para Prishtinës, ka qëndruar dje në Beograd, ku, ndër të tjera, me autoritetet serbe ka biseduar edhe për Kosovën, sidomos për fazën e pas 10 dhjetorit, pasi që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Sllovenia merr kryesimin e radhës së BE-së.

XS
SM
MD
LG