Ndërlidhjet

NDIKIMI I MOSPAGESËS NË FURNIZIMIN ME RRYMË


Nadie Ahmeti

Vënia e një raporti të shëndoshë dhe të mirëfilltë në mes Korporatës Energjetike të Kosovës dhe konsumatorëve të saj, është parakusht për zhvillimin e kompanisë, por edhe për furnizim të rregullt dhe cilësor me energji elektrike, thonë përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës. Por, viteve të fundit, kjo korporatë vazhdimisht është përballur me probleme të shumta të mospagesës së faturave të energjisë së shpenzuar. Nezir Sinani, zëdhënës në KEK, pohon se që nga viti 1999, konsumatorët i kanë borxh KEK-ut mbi 310 milionë euro. Kjo ka ndikuar, sipas tij, që KEK-u të mos jetë në gjendje t’i mbulojë shpenzimet e veta, por të varet nga donacionet e jashtme dhe buxheti i konsoliduar i Kosovës. “Nëse i shikojmë borxhet sipas shumave, atëherë borxhlinj të mëdhenj kemi konsumatorët komercialë, sidomos ata konsumatorë komercialë që shtrihen nëpër zonat ku KEK-u nuk ka qasje; janë këto zonat ku jetojnë serbët, apo enklavat serbe”, thotë Sinani. Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike thonë se faturat e rrymës së shpenzuar duhet gjithsesi të paguhen, por duhet të gjenden forma adekuate që konform parametrave ekzistues të bëhet faturimi, e jo me presione dhe me shkyçje. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se për shkak të situatës së rëndë të sistemit energjetik, rryma në Kosovë paguhet në forma të ndryshme, e në disa raste, siç thotë Gërxhaliu, rryma paguhet deri në tri herë. “E para, paguhet përmes konsumatorit të rregullt, ata që e paguajnë. E dyta, paguhet përmes buxhetit të Kosovës, ku KEK- u, në mënyrë permanente, merr mjetet nga buxheti. Dhe, e treta, në qoftë se në Kosovë ekzistojnë 240 mijë gjeneratorë dhe në qoftë se vetëm nga dy litra në ditë i shpenzojnë derivate, atëherë shuma vërtet është enorme dhe jo vetëm që i kalon 820 milionë apo një miliard investime, por ndoshta në këtë agregatomani janë shpenzuar miliarda të tëra”, thotë Gërxhaliu. Megjithatë, Nezir Sinani pohon se nëse konsumatorët i paguajnë rregullisht faturat e rrymës së shpenzuar, gjendja e energjisë do të ishte më stabile. Ai thotë se deri më tani janë përdorur mekanizma të ndryshëm, të cilët i detyrojnë qytetarët ta paguajnë energjinë elektrike. “Sikur KEK-u t’i kishte këto 310 milionë euro, sigurisht që puna shumë më lehtë do të zhvillohej dhe do të kishte shumë më shumë energji në dispozicion. Nëse mirëmbajtja në KEK do të ishte në një nivel krejt tjetër dhe do të kishte më shumë mjete për investim, në të njëjtën kohë, KEK-u do të kishte në dispozicion të holla që të blejë energji elektrike nga rajoni, në raste kur nuk do të mund të prodhohej këtu”, shprehet Sinani. Por, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se mundësia e vetme për përmirësimin e arkëtimit të energjisë është që konsumatorët të furnizohen me energji përmes kartelave. “Është promovuar me vite të tëra mundësia e kartelizimit të energjisë. Një gjë e tillë nuk është bërë. Arsye pse nuk është bërë, është se sikur të futen kartelat dhe të regjistrohet një gjë e tillë, atëherë nuk do të kishte vjedhje dhe korrupsion nga vetë menaxhmenti dhe nga vetë punëtorët e KEK-ut. Do të thotë, alternativa ka, por mungon vullneti. Vullneti mungon për arsye të mbrojtjes së interesave individuale, klanore, por ndoshta edhe të atyre partiake”, thekson Gërxhaliu. Dhe, për këtë, ai thotë se nuk është gjithmonë problemi tek mospagesa e faturave, por tek mungesa e përgjegjësisë së menaxhmentit të KEK-ut. “Edhe 1 miliard euro po të investoheshin sot në KEK dhe t’i jepeshin menaxhmentit në dispozicion, mos mendoni se sot do të ndryshonte diçka pozitive. Në qoftë se nuk do të rritet shkalla e përgjegjësisë, në qoftë se nuk do të ketë një menaxhment të mirëfilltë që e ngrit dozën e përgjegjësisë, nëse dikush nuk jep përgjegjësi për një miliard investime, atëherë të kota janë edhe investimet që do të bëhen në të ardhmen”, thotë Gërxhaliu. Ndryshe, prej vitit 1999 e deri në vitin e kaluar, buxheti i konsoliduar i Kosovës ka ndarë afër 400 milionë euro për investime dhe import të energjisë elektrike, mjete këto për të cilat thuhet se është dashur të orientohen nga shërbimet tjera esenciale.

XS
SM
MD
LG