Ndërlidhjet

DUGOLLI:”DOKUMENTI 14 PIKËSH – KONFUZ DHE I PËRGJITHSHËM”


Ilir DUGOLLI, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, karakteristikë e takimit të fundit në Vjenë në mes të Prishtinës dhe Beogradit ishte paraqitja e dokumentit 14 pikësh, edhe pse edhe për këtë nuk pati pajtim mes palëve. Si e vlerësoni ju këtë dokument?

ILIR DUGOLLI
Në radhë të parë, dokumenti u përcoll me konfuzion të panevojshëm edhe lidhur me atë se a e kanë pranuar palët, pala jonë, pa hyrë fare në përmbajtjen e tij. Problematike për përmbajtje është se dokumenti është tejet i përgjithësuar, tejet konfuz në kuptimin që t’i lë të kënaqura të dyja palët, edhe pse thuhet se ai është vetëm një përmbledhje e qëndrimeve të shprehura nga palët. E vetmja gjë e mirë që unë shoh në dokument, është se, pak a shumë, fillon t’i konkretizojë, t’i kufizojë opsionet, për të cilat është biseduar deri më tani. E kjo është e nevojshme për vetë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, ngase për dallim nga periudha e udhëhequr nga Ahtisaari, që ka rezultuar me një opsion edhe i ka eliminuar të gjitha alternativat tjera, deri më tani ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë nxitur kreativitet të tepruar, që është i rrezikshëm. Do të thotë, kanë spekuluar me opsion të ndarjes, me opsion të konfederatës e kështu me radhë. Edhe pse dokumenti nuk i eliminon këto mundësi, mund të jetë një fillim i kufizimit të këtyre opsioneve. Madje, unë nuk shoh se ai e eliminon, në radhë të parë, konfederatën; tek ne ka pasur interpretime, të them, paksa euforike dhe interpretime e fokusime në disa elemente të vetme të dokumentit, por atë duhet interpretuar si tërësi. Si tërësi, ndonëse garanton që Kosova nuk do të qeveriset nga Serbia. Megjithatë, në çështje tjera është krejtësisht i hapur dhe mundëson që të dyja palët të mund ta interpretojnë sipas qejfit të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më 10 dhjetor do të mbahen edhe tri takime të drejtpërdrejta në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Çfarë prisni të ndodhë gjatë kësaj periudhe?

ILIR DUGOLLI
Palët do të vazhdojnë me këtë avazin e tyre. Palët do të vazhdojnë që të mos pajtohen me njëra-tjetrën, por, në të njëjtën kohë, do të përpiqen ta bëjnë për vete bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo është e pranishme shumë më tepër tek pala kosovare, sesa tek serbët, të cilët janë agresivë dhe nuk janë fort të brengosur për të qenë të afërt dhe për ta pasur për vete bashkësinë ndërkombëtare. Serbët, gjithsesi do të përpiqen që të lënë përshtypje se shkëndijat e para të shpresës për ndonjë marrëveshjeje po dalin në shesh dhe kjo mandej do të shërbente si njëfarë shtytësi për të vazhduar me bisedime edhe pas 10 dhjetorit, në të cilën gjë e kanë përkrahjen e rusëve pa pikë dyshimi. Çfarë mund të pritet në këto takimet e radhës, është një shtim i presionit i ndërmjetësve ndërkombëtarë dhe i strukturave ndërkombëtare që qëndrojnë prapa tyre, Grupit të Kontaktit, për të nxitur kreativitete, për të gjetur ndonjë lloj marrëveshjeje historike mes shqiptarëve dhe serbëve. Kjo do të ndodhë dhe kjo është për t’u pritur. Për fatin tonë të mirë, nuk ka gatishmëri të tillë në Beograd, në radhë të parë, tek kryeministri Koshtunica, sepse sikur të kishte gatishmëri më të madhe, atëherë presioni ndaj kosovarëve do të ishte tejet më i lartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Prishtinë, disa parti kanë nisur fushatën zgjedhore. Si e vlerësoni ju mbajtjen e fushatës dhe të zgjedhjeve paralelisht me negociatat për statusin?

ILIR DUGOLLI
Është sfidë e madhe. Nuk mund të mohohet se njëra ndikon në tjetrën; që të dyja ndikojnë. Mirëpo, nëse shikohen pasojat e mosmbajtjes së zgjedhjeve, atëherë besoj se komplikimet do të ishin shumë më të mëdha. Është shumë e rëndësishme që nga këto zgjedhje të dalin institucione legjitime, të cilat, pa asnjë vonesë, do të merren me vendimin për statusin, të cilat do ta shpallin pavarësinë. Këto do të jenë institucione legjitime, që dalin nga votat e qytetarëve dhe nga zgjedhjet e monitoruara ndërkombëtarisht. Sikur të shkohej me këtë opsionin e shpalljes tani, atëherë, menjëherë më pas, do të duhej të organizoheshin zgjedhjet edhe mundësia e bllokimit të pranisë së OSBE-së, të mbikëqyrjes, të vëzhgimit të zgjedhjeve, do të ishte shumë më e madhe. Prandaj, është e rëndësishme që vërtet të mbahen. Është ky një çmim që duhet paguar në këtë proces, në të cilin jemi duke kaluar dhe këto institucione, pa zvarritje të tjera, menjëherë të merren me çështjen e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë, disa parti politike kanë shpalosur pjesë të programeve të tyre për zgjedhjet e 17 nëntorit. Në përgjithësi, çfarë mendoni se është e reja në këtë fushatë zgjedhore?

ILIR DUGOLLI
Po, ka risi të vogla, mirëpo nuk ka ndonjë risi të madhe përmbajtjesore. Ndoshta një prej gjërave që është paksa e re, në një masë shokante për mua, është theksimi shumë më i madh i liderizmit. Nëse i shihni bilbordet nëpër qytet, ato të gjitha janë të vërshuara vetëm me fotografi të liderëve dhe nuk ka diçka tjetër. Çështje tjetër është se vëmendje shumë më e madhe po i kushtohet ambalazhit, paketimit, sesa përmbajtjes. Do të thotë, edhe kompanitë që janë të angazhuara, janë kryesisht kompani të marketingut, këshilltarë të çështjeve të marketingut, e jo aq shumë të çështjeve të përmbajtjes dhe të thelbit. Pra, disa gjëra që po vërehen që tani, që ka filluar fushata. Mirëpo, partitë ka kohë që kanë filluar të shpalosin atë çfarë ato ofrojnë. Risi është se LDK-ja, në këto zgjedhje, për herë të parë, garon pa liderin e saj të vjetër, pa udhëheqësin që ka themeluar LDK-në. Risi tjetër janë edhe këto freskimet, të cilat secila prej partive është përpjekur që t’i bëjë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se pas zgjedhjeve, në një kohë të shkurtër mund të krijohet një udhëheqje e re e institucioneve?

ILIR DUGOLLI
Kjo është më se e rëndësishme. Unë nuk dua të merrem me spekulime kohore, por nëse partitë, ato që dalin nga zgjedhjet si fitimtare, nuk gjejnë ndonjë marrëveshjeje brenda një muaji, atëherë veç mund të lejojnë hapësirë për komplikime të mëtejme në të gjitha planet, jo vetëm në planin e qeverisjes. Kështu që vërtet nuk shoh ndonjë arsye të madhe për t’u zvarritur. Pak a shumë, që tani po shihet se kah po anojnë partitë. Edhe opsionet, të gjitha po i mbajnë të hapura. Prandaj, nuk ka arsye që të zvarritet tej mase dhe që marrëveshjet të mos bëhen mes atyre partive, që dalin fitimtare nga këto zgjedhje.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI

XS
SM
MD
LG