Ndërlidhjet

logo-print

EARHART: SHBA-TË TË PËRKUSHTUARA TË QËNDROJNË NË KOSOVË


Albana Isufi

Komandanti i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali Douglas Earhart, ka siguruar sot se trupat amerikane do të qëndrojnë në Kosovë dhe aktualisht nuk ka urdhra për tërheqje. Këto komente vijnë pak ditë pasi që sekretari për shtyp i Pentagonit, Geoff Morrell, ka thënë se ministri amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, ka shqyrtuar lëvizjen e forcave amerikane nga Kosova në Afganistan, nëse vendet anëtare të NATO-s nuk dërgojnë trupa të mjaftueshme në Afganistan. “Nuk kemi marrë urdhra për tërheqje. Kjo çështje duhet adresuar Pentagonit. Megjithatë, unë jam këtu komandanti i tetë, pasardhësi im, komandanti i nëntë është këtu; ndërkaq, është identifikuar edhe komandanti i 10-të”, tha gjenerali amerikan, Douglas Earhart, i cili, javën e ardhshme, ia dorëzon komandën e forcave amerikane të kampit Bondsteel, gjeneralit John Davoren. Ekspertë të sigurisë kanë vlerësuar se zhvillimi i dy proceseve paralelisht, zgjedhjet dhe negociatat për status, mund të ndikojë negativisht në situatën e sigurisë, e cila vlerësohet të jetë e brishtë. Megjithatë, gjenerali Douglas Earhart, i cili udhëheq brigadën prej 1500 ushtarëve amerikanë në kampin Bondsteel, afër Ferizajt, konsideron se pavarësisht këtij procesi të dyfishtë, situata e sigurisë vazhdon të jetë e qetë. “Situata e sigurisë mendoj se është e mirë, pasi që njerëzit duan që ajo të jetë e mirë. Shumica e njerëzve duan një Kosovë të sigurt dhe jam shumë i inkurajuar me këtë gjë. Njerëzit po e respektojnë sundimin e ligjit dhe kjo është çështje pozitive për sigurinë. Pasardhësi im është këtu. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për Kosovën; kjo është baza kryesore”, tha gjenerali Earhart, i cili nuk pret ndonjë ndryshim të numrit të ushtarëve amerikanë në Kosovë. “Nuk do të këtë forca shtesë. Nga perspektiva e ushtrisë amerikane, numri i trupave do të mbetet i njëjtë”, theksoi komandanti i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali Douglas Earhart, pas një ligjërate mbi lidershipin, që ka mbajtur para studentëve të Universitetit privat ‘Dardania’, në Prishtinë. Ndryshe, në Kosovë gjenden rreth 16 mijë trupa paqeruajtëse të NATO-s, numër ky, që, sipas ushtarakëve të KFOR-it, aktualisht nuk pritet të pësojë ndryshime.
XS
SM
MD
LG