Ndërlidhjet

DACI: KOSOVA KA NEVOJË PËR NDRYSHIME RRËNJËSORE


Zijadin Gashi

Me premtimet për vazhdimin e vizionit dhe të politikës së presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Dardanisë ka hapur sot fushatën e saj zgjedhore me një tubim në Prishtinë. Kryetari i saj, Nexhat Daci, u ka premtuar simpatizantëve të kësaj partie, se do të angazhohet për një Kosovë të pavarur e sovrane, për një ekonomi të zhvilluar dhe program qeverisës efikas në të gjitha fushat e jetës. Gjendja, në të cilën tash ndodhet Kosova, është e papranueshme, tha Daci para të pranishmëve, duke u ofruar qytetarëve, apo, siç tha Daci, dardanëve, një kontratë publike për një Kosovë më të mirë. “Dardanë të dashur, a e duam Kosovën në terr..., a e duam arsimin që ruajti pa tretur në mërgatë substancën kombëtare dhe krenarinë e traditës, me katër ndërrime pune, me dinjitet të nëpërkëmbur dhe të detyruar në greva të shpeshta..., a e duam një pleqëri të fyer e të poshtëruar që për të gjallëruar është shndërruar në lypsarë nëpër Kosovë..., a e duam një ekonomi të ngulfatur e të mbërthyer në ngërçin e financimit, të investimeve të ulëta dhe të mosshfrytëzimit të burimeve potenciale, të papunësisë së lartë dhe të pamundësisë për të zbutur varfërinë”, tha Daci. Lidhja Demokratike e Dardanisë, parti kjo e formuar nga fraksioni që lëshoi vjet Lidhjen Demokratike të Kosovës, do të hyjë në zgjedhjet e 17 nëntorit në koalicion me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, të Mark Krasniqit. Ky i fundit premtoi një qeverisje efikase. Pavarësia mbetet prioriteti numër një, por ‘shteti i varfër, siç është sot Kosova, nuk i duhet askujt’, tha Krasniqi. “Ne, koalicioni ynë, nuk do t’ju premtojë shumë, por atë që do t’ju premtojë, atë do të përpiqet me mish e me shpirt që ta realizojë. Detyra dhe qëllimi ynë kryesor është Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur. Ky është çelësi me të cilin çelen dyert e të gjitha problemeve që i kemi sot në Kosovë, e Kosova ka shumë probleme”, është shprehur Krasniqi. Tubimi promovues i LDD-së i ka shërbyer kësaj partie që t’i prezantojë edhe kandidatët e saj për deputetë në Kuvendin e Kosovës. Gjatë tubimit, është brohoritur në vazhdimësi edhe emri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Tubimet e para promovuese i kanë mbajtur tashmë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, ndërkaq nga nesër pritet që me tubime promovuese të fillojnë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, si dhe Partia Reformiste Ora.
XS
SM
MD
LG