Ndërlidhjet

MOORE:"BASHKIMI EVROPIAN GJITHNJË E MË UNIK RRETH STATUSIT TË KOSOVËS"


Patric MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Mbështetur në raportimet e disa mediumeve gjermane, Berlini është i gatshëm të njohë pavarësinë e Kosovës nëse bisedimet deri më 10 dhjetor dështojn. Ç'do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
Duhet thënë se burimet e këtyre njohtimeve nuk janë gazetat senzacionaliste ditore, por një radiot më serioze që mbulojn gjithë Gjermaninë. Nga ana tjetër më 24 tetor Volfgang Ishinger në një intervistë për të përditshmen "Frankfurter Algemajne Cajtung" ka sinjalizuar se Bashkimi Evropian është duke ecur ose tashmë ka arritur një koncenzus rreth Kosovës. Ai ka thënë se Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia, pra katër vende të Grupit të Kontaktit kanë qëndrim të njejtë. Të gjitha këto zhvillime sinjalizojn se BE-ja duket të ketë formësuar qëndrim unik rreth Kosovës. Përgënjeshtrimet që vijnë nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë që kontrollon ministrinë e Jashtme janë të natyrshme dhe përpjekje për të evituar pargjykimin e epilogut të bisedimeve që do të vazhdojn deri më 10 dhjetor. Ose siç e tha një deputet socialdemokrat "t'i japim edhe pak kohë diplomacisë". Gjithsesi që ata nuk presin asgjë nga bisedimet, por janë të obliguar ta thonë. Një ekspert gjerman për Ballkanin këto ditë më tha:"Natyrisht që ata i përgënjeshtrojn këto pohime, çfarë pritni tjetër që ata të thonë".

RADIO EVROPA E LIRË
Njëkohësisht zyrtarë rusë kanë thënë se brenda Bashkimit Evropian nuk ka një qëndrim unik rreth Kosovës. Si i komentoni këto prononcime?

PATRICK MOORE
Kjo është propagandë tipike dhe formë e të menduarit sipas dëshirës. Është reflektim i politikës së Rusisë ndaj Bashkimit Evropian me logjikën "përçaj dhe sundo". Gjatë gjithë vitit të kaluar Moska ka dëshmuar se nuk dëshiron bisedime me Bashkimin Evropian, por marrëveshje bilaterale. Dhe këtë nuk dëshiron ta bëjë me secilën, për shembull jo me Poloninë dhe Estoninë, që i sheh ende si sferë të veten të ndikimit, duke mos respektuar madje as pavarësinë e tyre. Në vend të kësaj Rusia preferon marrëveshje bilaterale me vendet siç janë Gjermania dhe Italia për të përfituar nga ato më së shumti. Duke synuar përçarjen e Bashkimit Evropian, Moska synon manipulimin me disa prej këtyre vendeve. Por, në çastin e tashëm dhe në rastin e Kosovës, Rusia mund të thirret vetëm në mospajtimin e Greqisë dhe Qipros që vazhdojnë të mbështesin pozicionin e Serbisë. Por, Bashkimi Evropian tash nuk është i përçarë siç ka qenë para 6 muajve.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Bashkimi Evropian është i përcaktuar për të formësuar front unik rreth statusit të Kosovës?

PATRICK MOORE
Gjërat janë duke lëvizur dhe ndryshuar. Mendoj se aktualisht ekziston masa kritike e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian që janë të gatshme të presin mbarimin e negociatave më 10 dhjetor dhe nëse ato dështojn, në vend të zhagitjeve të mëtejme dhe bllokimit të Shteteve të Bashkuara për të njohur deklarimin e pavarësinë së Kosovës nga ana e Prishtinës zyrtare, edhe ato do të bashkohen në njohjen e pavarësisë. Çfarë ka kushtëzuar këtë ndryshim të qëndrimit të evropianëve? Dallimi më i madh ka të bëjë me ndryshimin e qeverisë në Francë. Ishim dëshmitar të largimit të presidentit Zhak Shirak që parim politik kishte bllokimin e Amerikës dhe ardhjes së Nikolas Sarkozit, president shumë dinamik dhe inovativ, ministri i Jashtëm i të cilit Bernar Kushner është i njohur për secilin në Kosovë. Këto janë personalitete që kanë qëndrime tjera nga Zhak Shiraku ndaj pavarësisë së Kosovës. Këtij qëndrimi duket se i janë bashkuar Gjermania, Italia dhe me gjasë edhe Spanja. Por, shtrohet pyetja përse Bashkimi Evropian tash synon të lë anash dallimet dhe të krijoj front unik rreth çështjes së Kosovës? Nëse analizojmë intervistën e ambasadorit Volfgang Ishinger dhënë gazetës "Frankfurter Algemajne Cajtung" më 24 tetor është evidente se ai është i bindur se nëse Bashkimi Evropian nuk do të jetë në nivelin e detyrës dhe nëse nuk arrinë të krijoj një front unik rreth Kosovës, BE-ja duhet të harroi përgjithmonë çfardo respekti nga të tjetët si lojtar serioz në politikën e jashtme.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG