Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIUES NUK KA INDIKACIONE PËR SHTYRJEN E STATUSIT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi

Delegacioni i Kosovës shprehet i gatshëm të diskutojë çfarëdo plani që shtrohet në tavolinën e bisedimeve, por, njëkohësisht, thotë se nuk do të pranojë asgjë më pak se pavarësia e Kosovës. Ekipi Negociator ka diskutuar sot në lidhje me takimin e radhës me Beogradin dhe Treshen ndërmjetësuese, që do të mbahet më 5 nëntor, në Vjenë. Sipas agjendës, edhe në Vjenë do të vazhdohet me takimet trepalëshe Prishtinë – Beograd me ndërmjetësimin e Treshes, si dhe do të ketë takime të ndara ndërmjet palëve në bisedime dhe Treshes. Zëdhënësi i Ekipit kosovar, Skënder Hyseni, tha se në takimin e 5 nëntorit do të diskutohet sërish edhe në lidhje me 14 pikat e prezantuara nga Treshja. Ai u shpreh i bindur se 14 pikshi i Treshes nuk e përjashton planin e Ahtisaarit si zgjidhje për Kosovën, mirëpo refuzoi të komentojë lidhur me vërejtjet që Prishtina i ka paraqitur lidhur me këtë propozim. “Ekipi ka qenë i përmbajtur nga komentimet. Neve na është thënë se nuk është dokument, por material për diskutim, i cili, po e citoj ambasadorin Ischinger që ka thënë se ‘materiali nuk ka status zyrtar’. Prandaj, Ekipi nuk e quan dokument dhe përmbahet nga komentet, sepse është material punues. Ekipi është i gatshëm të diskutojë gjithçka që del në tavolinë, por nuk është i gatshëm të pranojë asgjë më pak se pavarësia e Kosovës”, tha Hyseni. Në vazhdim, zëdhënësi i negociatorëve kosovarë tha se nuk mund të pritet që Prishtina, qysh tani, të dalë me qëndrim se si do të sillet pas 10 dhjetorit, kur përfundon faza shtesë e bisedimeve. Ai tha se duhet të pritet që të përfundojnë edhe tri takimet e fundit në këtë proces dhe më pas, Ekipi Negociues do të dalë me qëndrimet e veta që do t’ia adresojë Kuvendit të Kosovës, përkatësisht se duhet apo jo të shpallet pavarësia dhe kur. “Me siguri se para 10 dhjetorit Ekipi Negociues dhe institucionet e Kosovës do t’i kenë të gjitha vendimet e veta, se çka duhet të bëhet, si të veprohet dhe në cilën kohë duhet ndërmarrë hapi i ardhshëm”, pohoi Hyseni. Ditëve të fundit, në shtypin kosovar janë përfolur disa opsione të ndryshme, ndër të cilat edhe ai për ngrirjen e statusit të Kosovës dhe për shtyrjen e zgjidhjes definitive për 3 deri në 12 vjet. Lidhur me këto ide, Hyseni tha se Prishtina zyrtare nuk ka informacione. “Ne nuk kemi informacione të tilla, por në rast të një plani të tillë, është totalisht e papranueshme që pavarësia të shtyhet..., me vite jo se jo, por edhe me muaj do të jetë pikëpyetje a do të shtyhet a jo”, theksoi Hyseni. Ndryshe, delegacioni i Kosovës ka vlerësuar se ditët e para të fushatës zgjedhore kanë kaluar me sukses dhe se procesi i zgjedhjeve dhe ai i statusit mund të zhvillohen paralelisht njëri me tjetrin. Po ashtu, Ekipi Negociues ka kërkuar që ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit si edhe Kushtetuta e Kosovës të jenë të gatshme, siç u tha, qysh në ditët e para të pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG