Ndërlidhjet

OSBE: KOMUNAT S’KANË BËRË MJAFT PËR KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Albana Isufi

Komunat e Kosovës nuk kanë bërë mjaft për t’i hartuar dhe implementuar strategjitë për kthimin e të zhvendosurve, është vlerësuar në një raport të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. Raporti i përpiluar në bazë të një hulumtimi të bërë gjatë muajit prill dhe maj të këtij viti në 30 komuna të Kosovës, thekson se jo të gjitha komunat kanë hartuar strategjitë komunale, ndërsa edhe ato që tashmë i kanë këto strategji, i kanë implementuar vetëm pjesërisht. “Raporti thekson disa zbrazësi, si mungesa e vullnetit politik, mungesa e përkushtimit të Qeverisë në të gjitha nivelet - si faktori kryesor që pengon planifikimin efektiv dhe implementimin e strategjive komunale për kthim”, thotë zëvendësshefi i OSBE-së, Mark Lamanen. Sipas raportit, ndër pengesat tjera më të shpeshta në zbatimin e strategjive për kthim të të zhvendosurve, janë: mungesa e fondeve për projektet e kthimit, situata e pafavorshme politike për kthimin në komunë ose siguria e pamjaftueshme për të kthyerit, mungesa e qasjes në shërbimet komunale, mungesa e qasjes në arsimim, mungesa e mundësive për punësim, mungesa e qasjes në pronë dhe faktorë të tjerë. Raporti thekson se, megjithatë, disa komuna kanë arritur pjesërisht t’i zbatojnë strategjitë e kthimit, por si problem kryesor, sipas Henry McGowen, mbetet mungesa e një koordinimi mes zyrtarëve përgjegjës për kthimin, si dhe paqartësia e burimeve financiare. “Duhet vënë theks të veçantë identifikimit të burimeve financiare dhe sigurisë në komuna. Këto janë dy sfida që duhet adresuar”, thekson McGowen, drejtor për Demokratizim, të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në OSBE. Ministri për Kthim dhe Komunitete, Branisllav Gërbiq, pranon se nuk është bërë sa duhet në kthimin e të zhvendosurve, por ai këtë e arsyeton me faktin se Kosova ende vuan pasojat e konfliktit dhe se duhet kohë për t’u krijuar rrethanat dhe kushtet për një kthim të qëndrueshëm. “Kthimi është një proces i shtrenjtë dhe sigurisht që ky proces kërkon një angazhim të të gjithë faktorëve përgjegjës për këtë segment. Nuk është e lehtë vetëm ta sjellësh një të zhvendosur në fshat apo diku në mal dhe t’i thuash ‘tash je kthyer dhe mund të jetosh këtu’. Por, duhet shikuar të gjitha rrethanat për kthimin e tij. T’i lejohet që të kthehet në mënyrë të dinjitetshme dhe t’i mundësohen kushte për qëndrimin e mëtutjeshëm, jo vetëm të tij, por edhe të familjes së tij, sepse, ndryshe, pas tri ditësh ai do të ikë sërish”, thotë Gërbiq, i cili potencon nevojën e një koordinimi më të madh mes ministrive përkatëse për kthimin dhe përfaqësuesve të komunave. Ndryshe, sipas Gërbiqit, Ministria për Kthim, nga viti 2005 e deri më sot, ka shpenzuar më shumë se 15 milionë euro për kthimin e të zhvendosurve. Por, për një kthim të qëndrueshëm, OSBE-ja rekomandon një nivel më të lartë të transparencës dhe një proces përfshirës e konsultativ të planifikimit, si parakushte të domosdoshme për një përkushtim të vërtetë të të gjitha palëve ndaj procesit të kthimit nëpër komuna.
XS
SM
MD
LG