Ndërlidhjet

logo-print

KIÇMARI:”ME RASTIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË, BE-JA DO TË FLASË ME NJË ZË”


Sabri KIÇMARI, ligjërues në Fakultetin Filozofik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kiçmari, sa mendoni se do të jetë e suksesshme ajo që shpesh cilësohet si presion ndërkombëtar në arritjen e një kompromisi midis Prishtinës dhe Beogradit, nëpërmjet bisedimeve që aktualisht janë duke u zhvilluar?

SABRI KIÇMARI
Në çdo proces negocimi, siç është aktualisht ky i Kosovës, praktikisht preferohen edhe nuanca të veçanta të presionit ndërkombëtar. Ajo që është e rëndësishme për momentin është se shkalla e presionit ndërkombëtar nuk do të lejohet t’i tejkalojë të drejtat e qytetarëve të Kosovës, për të vendosur vetë për fatin e tyre, për të ardhmen e tyre. Jam i sigurt se tre negociatorët kryesorë, që udhëheqin procesin, e kanë parasysh këtë gjë dhe nuk do t’i kalojnë kufijtë e interesave dhe të të drejtave të qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju rolin e Rusisë? Cili është interesi primar në qëndrimet e Moskës në raport me çështjen e Kosovës?

SABRI KIÇMARI
Rusia e ka shndërruar çështjen e Kosovës në një çështje ndërkombëtare, për vetë faktin që ajo, duke synuar të luajë rolin e saj të mëparshëm në mesin e roleve prioritare në bashkësinë ndërkombëtare, është munduar që përmes Kosovës të fitojë pikë në rregullimin ose rikthimin e statusit të saj në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Pikëpamja ime është se ky këndvështrim ose ky synim i Rusisë, në fakt, pak ka të bëjë me realitetin, për arsye së një lidhje kaq e fortë me Serbinë, praktikisht, sinjalizon për një mentalitet mesjetar të një lidhjeje pro sllave, që nuk ka të bëjë fare me demokracinë, me vlerat bashkëkohore, për të cilat synon pjesa dërrmuese e vendeve të ish-Evropës lindore. Mendoj se Rusia, në këtë drejtim, praktikisht po jep sinjale se po dëshiron të rikthehet në një skenë ndërkombëtare, e cila tashmë është e tejkaluar si e tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë, autoritetet qendrore shpesh përmendin mundësinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Në çfarë rrethanash mendoni se do të duhej të bëhej një hap i këtillë?

SABRI KIÇMARI
Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bëhet dyanshëm; bëhet nga qytetarët e Kosovës ose nga përfaqësuesit e tyre në institucionet shtetërore, në këtë rast në Kuvendin e Kosovës. Ata janë të zgjedhur nga qytetarët e Kosovës për t’i mbrojtur interesat e tyre. Sinjalet nga autoritetet e larta ndërkombëtare janë të nënkuptueshme për mua. Deklarimet e hapura, fare të hapura dhe të kuptueshme të presidentit Bush dhe deklarimet e një numri të madh të burrështetasve nga Franca, Britania e Madhe, Italia, madje, kohët e fundit, edhe nga Gjermania, janë sinjale të mjaftueshme, që janë shumë më të avancuara, sesa sinjalet që pati dhënë më herët Gjermania, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë dhe të Kroacisë. Prandaj, mendoj se këto sinjale janë të mjaftueshme për të na lënë të nënkuptojmë se pas 10 dhjetorit, në qoftë se Serbia nuk do ta pranojë kompromisin, pra ta pranojë pavarësinë e Kosovës, atëherë Kuvendi i Kosovës, si organ legjitim i qytetarëve të Kosovës, ka të drejtë dhe obligim që ta bëjë shpalljen e pavarësisë në akord të plotë me diplomacinë ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë me SHBA-të dhe me BE-në. Është kohë shumë e përshtatshme, kohë e nënkuptueshme në rrafshin diplomatik dhe mendoj se Kuvendi i Kosovës do të procedojë kësisoj.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian, thuhet se e ka në dorë çelësin e zhbllokimit të procesit të statusit, por disa analistë thonë se mungon një konsensus midis vendeve anëtare për ta shfrytëzuar këtë çelës. Ju, çfarë mendoni?

SABRI KIÇMARI
Bashkimi Evropian tashmë përbëhet nga 27 vende dhe akordimi i diplomacisë ose i politikës së jashtme me këto vende nuk është i lehtë. Do me thënë, janë të kuptueshme edhe pozicionimet e ndryshme, me nuanca të ndryshme të vendeve të caktuara rreth problemeve të caktuara, siç është në këtë rast çështja e Kosovës. Mirëpo, të mos harrohet një gjë; afërsisht e njëjta situatë ishte edhe para se të propozohej pakoja e presidentit Ahtisaari, ndërsa menjëherë pas propozimit të dërguar në Këshillin e Sigurimit nga presidenti Ahtisaari, Bashkimi Evropian i pati akorduar pikëpamjet e tij; praktikisht, 27 vendet u akorduan dhe pranuan që pakoja e Ahtisaarit të jetë baza e zgjedhjes së statusit të Kosovës. Për këtë arsye, jam i sigurt se edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë, në momentin e diskutimit për njohjen e pavarësisë nga BE-ja, 5 vendet që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, do t’i akordojnë qëndrimet e tyre me shtetet tjera të BE-së dhe BE-ja do të flasë me një zë.

RADIO EVROPA E LIRË
Derisa po flasim për statusin, skena politike në Kosovë tash është zhytur në fushatën parazgjedhore. Sa mendoni se do të ketë ndërhyrje midis këtyre dy proceseve?

SABRI KIÇMARI
Këto dy procese janë të ndryshme, mirëpo nuancat e përafrimeve janë të mundshme. Ajo që është me interes për qytetarët e Kosovës dhe për opinionin ndërkombëtar, është fakti se Ekipi i Unitetit, që udhëheq procesin e bisedimeve, është shumë unik në qëndrimet e tij rreth statusit. Kjo për mua është shumë e rëndësishme, shumë thelbësore. Procesi i bisedimeve nuk do të pengohet nga fushata elektorale. Është parë edhe gjatë këtyre ditëve të para të fushatës, se deklarimet e përfaqësuesve të partive politike në fushatë rreth statusit, janë pothuajse të akorduara. Nuk ka fare konfrontime rreth idesë së pavarësisë së Kosovës ose rreth tempit të veprimeve diplomatike. Kjo është vlerë e rëndësishme. Ndërsa, procesi i zgjedhjeve është proces normal, demokratik, shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për momentin. I rëndësishëm edhe për faktin, se, paramendoni një situatë nëse pas 10 dhjetorit do ta kishim Parlamentin e vjetër, të cilit do t’i kishte kaluar mandati, praktikisht do të gjendeshim në një pat situatë në rrafshin institucional, gjë që do t’i dëmtonte zhvillimet e mëtejme demokratike. Prandaj, vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve mendoj se ka qenë vendim shumë i mençur dhe efektet e tij do t’i shohim në të ardhmen.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG