Ndërlidhjet

logo-print

SHTETET E BASHKUARA PËRPIQEN TA OFROJNË RUSINË


"International Herald Tribune"

Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për t'i ofruar Rusisë koncesione mbi Marrëveshjen e Forcave të Armatosura Konvencionale në Evropë, në përpjekje për të bindur Moskën që të zbusë qëndrimin e saj mbi Kosovën dhe Iranin. Koncesionet janë pjesë e një pakoje më komplekse, të cilën Washingtoni është duke bërë përpjekje ta shfrytëzojë për të tejkaluar kundërshtimin e Rusisë mbi pavarësinë e Kosovës dhe për të fituar njëkohësisht përkrahjen e Moskës për sanksione të reja kundër Teheranit, të cilat, javën që shkoi, u paralajmëruan nga vetë presidenti amerikan, George Bush. Me faktin se koha për arritjen e një marrëveshjeje për Kosovën është gjithnjë e më e ngushtë dhe synimet për sanksione të reja në Iran, administrata amerikane është duke bërë përpjekje që ta afrojë Rusinë. Rusia i është kërcënuar Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve se do të tërhiqet nga Marrëveshja për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë, e cila konsiderohet si gurthemel i sigurisë në Evropë, që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka bërë këtë kërcënim si kundërpërgjigje ndaj planeve amerikane për të vendosur mbrojtje kundër-raketore në Poloni dhe në Republikën Çeke, për çka Washingtoni pohon se do t'i mbronte nga sulmet e Iranit. Një diplomat i lartë i NATO-s, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se "Shtetet e Bashkuara janë duke kërkuar me çdo kusht arsye për të përfituar përkrahjen e Rusisë për Kosovën dhe Iranin, por në atë mënyrë që të ruhet marrëveshja e armëve konvencionale". "Çështja është nëse Rusia, por edhe disa vende të vogla të NATO-s, do ta pranojnë këtë kompromis", ka thënë diplomati i lartë i NATO-s. Nëse Moska refuzon ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën, Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian gjithsesi do të mund ta njihnin pavarësinë. Por, një hap i këtillë do të mund ta destabilizonte Ballkanin, t'i përkeqësonte raportet me Moskën dhe të nxisë veton e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit për bllokimin e sanksioneve në Iran. Presidenti rus, Vladimir Putin, është kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja më 12 dhjetor, nëse të 56 nënshkruesit nuk i ratifikojnë ndryshimet që janë negociuar më 1999. Atëbotë, Rusia ishte pajtuar t'i tërheqë trupat nga Gjeorgjia dhe Moldavia, që të dyja ish-republika të Bashkimit Sovjetik. Por, megjithatë, Moska ende nuk i ka tërhequr forcat dhe pajisjet nga Transnistria e Moldavisë dhe si rezultat, pothuajse të gjitha vendet nënshkruese të marrëveshjes kanë refuzuar t’i ratifikojnë ndryshimet e negociuara më 1999.
XS
SM
MD
LG