Ndërlidhjet

logo-print

JONSSON:”NE DO TË JEMI MENTORË, INSTITUCIONET – PËRGJEGJËSIT KRYESORË”


Jonas JONSSON, Ekipi Planifikues i Zyrës Ndërkombëtare Civile

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jonsson, ekipi juaj po vëzhgon për së afërmi aktivitetet e Treshes ndërkombëtare, krahas përgatitjeve për ngritjen e Zyrës Ndërkombëtare Civile. Sa, në të vërtetë, jeni përgatitur për të vendosur misionin tuaj në Kosovë, siç është paraparë me planin e Ahtisaarit?

JONAS JONSSON
Ne kemi një mandat të qartë prej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për t’u bërë gati për një marrëveshje për statusin dhe për një prani ndërkombëtare, që do të pasonte këtë marrëveshje, ndërsa BE-ja do të luante një rol të madh. Ne, për një kohë të gjatë, po punojmë këtu, së bashku me institucionet lokale dhe me praninë ndërkombëtare në Kosovë, për të përgatitur legjislacionin kyç, Kushtetutën dhe simbolet. Ne kemi shkuar shumë larg në zhvillimin e të gjitha këtyre çështjeve kyçe dhe jemi të përgatitur.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, nëse statusi i Kosovës zgjidhet, jeni të gatshëm që të vini menjëherë këtu?

JONAS JONSSON
Ne po punojmë më shumë se një vit në përgatitjet dhe kemi ndërtuar punën tonë me institucionet lokale, me praninë ndërkombëtare këtu, në ndërkohë po e ngremë edhe vetë zyrën tonë. Sot jemi diku një staf prej 40-50 personash, ndërsa planifikojmë të jemi tërësisht 270, kur të themelohet Zyra Ndërkombëtare Civile. Pra, ne jemi në rrugë të mbarë dhe jemi shumë afër vendosjes së misionit këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, çfarë është bërë në përgatitjen e misionit të BE-së në fushën e policisë dhe të drejtësisë?

JONAS JONSSON
Është e rëndësishme të kuptohet se ne si zyrë po përgatitemi për Zyrën Ndërkombëtare Civile, por po ashtu edhe për zyrën e përfaqësuesit special. Ne kemi punuar mjaft në ngritjen, të themi, të zyrës politike, por ne po ashtu kemi ekipin planifikues të misionit për sundimin e ligjit, ku po punojmë paralelisht dhe në bashkëpunim të ngushtë me ta. Edhe ata kanë bërë përgatitje domethënëse për ta mbikëqyrur këtë fushë dhe po ashtu duhet të shtoj se po punojmë ngushtë me Komisionin Evropian, që ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve. Mendoj se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë duhet të shikohet në këto tri zyra, meqë nuk kemi një perspektivë afatshkurtër këtu, por perspektivë afatgjate të integrimit evropian, perspektivë evropiane të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jonsson, nëse plani i Ahtisaarit nuk miratohet në Këshillin e Sigurimit, siç ndodhi verën e kaluar, a do të jeni të pranishëm në Kosovë, pra edhe nëse ky plan hiqet i tëri nga procesi?

JONAS JONSSON
BE-ja e ka bërë të qartë që nga fillimi, se ne e përkrahim pakon e Ahtisaarit përmes rezolutës së OKB-së. Ajo nuk ndodhi dhe tash kemi procesin e Treshes. Ne e përkrahim shumë këtë proces, e përkrahim ambasadorin Ischinger, i cili u emërua nga Havier Solana, si përfaqësues i BE-së. Këto janë prioritetet tona për momentin, që të japim tërë përkrahjen, në mënyrë që Treshja ta gjejë zgjidhjen mes palëve. Ky është prioriteti ynë. Ne shpresojmë se palët do të gjejnë ndonjë zgjidhje dhe do të thosha se pjesa tjetër është spekulim.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, kur mendoni se do të filloni punën, meqë 10 dhjetori po afrohet, e liderët kosovarë mendojnë se pas kësaj date do jetë edhe fundi i negociatave për statusin?

JONAS JONSSON
Siç e thashë, ne kemi shkuar shumë larg me përgatitjet, ne po bëhemi gati këtu, por është e rëndësishme që Zyra Ndërkombëtare Civile do të themelohet pas statusit. Dhe, për këtë na duhet një marrëveshje dhe shpresojmë se do të ketë marrëveshje shumë shpejt mes palëve. BE-ja e ka bërë të qartë që nga fillimi, se ne duam një zgjidhje brenda kësaj kornize të kufizuar kohore dhe ne shpresojmë se kjo do të ndodhë. Neve na duhet zgjidhja, por nuk dua të spekuloj për afate kohore.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, cili do të jetë roli i kreut të Zyrës Ndërkombëtare, meqë disa e kanë përshkruar atë ngjashëm me rolin e përfaqësuesit ndërkombëtar në Bosnjë?

JONAS JONSSON
Kemi qenë shumë konsistentë në mesazhin tonë - po flasim për një lëvizje të pranisë ndërkombëtare nën marrëveshjen për statusin, që po e planifikojmë. Dhe, kjo është që të shkohet nga qeverisja ndërkombëtare te ajo lokale. Ne parashohim një situatë, ku do të luajmë një rol ndihmës. Ne do të jemi trajnerët, mentorët e institucioneve lokale, por institucionet lokale do të jenë përgjegjëse; të zgjedhurit - ata do të jenë përgjegjës. Por, ne edhe më tej do të kemi një prani të rëndësishme ushtarake dhe një prani të rëndësishme të sundimit të ligjit. Por, mesazhi ynë është i qartë - po shkojmë nga qeverisja ndërkombëtare te ajo lokale.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë punoni me institucionet lokale, sa mendoni se kosovarët janë të gatshëm që të marrin më shumë kompetenca në fazën e ardhshme, pasi që statusi të jetë zgjidhur?

JONAS JONSSON
Mendoj se kemi bashkëpunim të mirë. Ju e dini, janë disa dispozita sfiduese të marrëveshjes për status, siç është decentralizimi, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare, të drejtat e komuniteteve pakicë dhe të gjitha këto janë sfiduese për Kosovën. Ne po punojmë në bashkëpunim të ngushtë, me qëllim që të sigurojmë implementimin e plotë të këtyre dispozitave dhe sërish mendoj se kemi arritur mjaft dhe jam optimist për këtë çështje.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG