Ndërlidhjet

ÇEKU: NGA DOKUMENTI I TRESHES TË HIQEN PIKAT QË CENOJNË SOVRANITETIN E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Pala kosovare ka shumë vërejtje në dokumentin 14 pikësh, që Treshja ndërmjetësuese ua ka propozuar Prishtinës dhe Beogradit, si konkluzione të përbashkëta nga procesi negociues. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, sot, për herë të parë, i ka bërë të ditura qëndrimet kosovare në lidhje me 14 pikat e propozuara nga Treshja, duke sqaruar se delegacioni i Kosovës do të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare që t’i përfshijë vërejtjet e Prishtinës në pikat e propozuara. Këto vërejtje, theksoi Çeku, kërkojnë qartësi për disa definicione që mund ta cenojnë sovranitetin e Kosovës. “Kryesisht, vërejtjet tona kanë të bëjnë me qartësinë e dokumentit. Fillimisht, dokumenti ka propozuar marrëdhënie speciale me Serbinë; ne kemi thënë se nuk ka nevojë dhe duhet të kemi marrëdhënie normale. Dokumenti flet për Prishtinën e Beogradin; ne kemi kërkuar që të flasë për Serbinë dhe Kosovën, si dy vende. Dokumenti cek se nuk ka kthim në vitin 1999; ne kemi kërkuar që të thuhet se nuk ka ndarje të Kosovës. Dokumenti thotë që Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në anëtarësim në institucionet ndërkombëtare; ne e kemi thënë se kjo vetëkuptohet dhe duhet të hiqet. Dokumenti ka propozuar fillimisht bashkëpunim në politikat fiskale, në sektorin bankar; ne e kemi thënë se këto janë çështje sovrane të vendit tonë dhe nuk duhet bashkëpunim në këto fusha”, ka sqaruar Çeku. Kryeministri kosovar tha se ky dokument do të ishte i pranueshëm për Kosovën vetëm nëse ai do të parashohë rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje. Dokumenti 14 pikësh, pasi që të jetë finalizuar, në fund të procesit pritet t’i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, bashkë me raportin lidhur me negociatat shtesë. Kryeministri Agim Çeku shprehu besimin e tij se pas 10 dhjetorit, nuk do të ketë më shtyrje dhe as ngrirje të statusit, siç parashohin analistë të ndryshëm. Ai tha se faza e pas 10 dhjetorit duhet të shënojë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare. “Pozicioni i Rusisë është i qartë, pozicioni i SHBA-ve është i qartë; e kam fjalën për Treshen. Tani bëhen përpjekje që ta kemi një konsensus brenda Bashkimit Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës mbi bazat e planit të Ahtisaarit. Kështu që nuk ka pritshmëri të madhe që Rusia do ta ndryshojë qëndrimin, por nuk ka asnjë sinjal që edhe Amerika do ta ndryshojë qëndrimin. Kështu që nuk presim ngrirje të procesit, por presim përfundim të procesit më 10 dhjetor dhe presim shpalljen e pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh kryeministri i Kosovës. Pala kosovare, tha në vazhdim kryeministri Çeku, nuk ka mandat që të lëvizë nga parimet dhe pozicioni i saj i proklamuar në negociata, që është mbështetur edhe nga institucionet më të larta vendore. “Absolutisht, ne nuk kemi mandat të pranojmë asgjë. Ne e kemi bërë shumë të qartë kur kemi hyrë në këtë proces, që i kemi disa qëndrime, në të cilat jemi shumë të vendosur, që pavarësia për Kosovën nuk ka alternativë, pavarësia mbi bazat e Ahtisaarit fillimisht e mbikëqyrur dhe me garancitë për komunitetet pakicë, pavarësia brenda kufijve ekzistues dhe që pas 10 dhjetorit, duhet të merret vendim për njohjen e pavarësisë, por normal me shpalljen paraprake të pavarësisë në Kuvend”, theksoi kryeministri Çeku. Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, sot, ka hequr nga rendi i ditës debatin në lidhje me Traktatin e fqinjësisë së mirë Kosovë – Serbi, të cilin Ekipi Negociues e ka prezantuar gjatë negociatave shtesë. Vetë Partia Demokratike e Kosovës, si iniciuesi i këtij debati, ka kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës diskutimi për çështjen e statusit, me çka është pajtuar edhe pozita. Kryeministri Çeku tha se ky nuk ishte një hap i qëlluar i Kuvendit, duke pasur parasysh zotimin e subjekteve politike, se fushata zgjedhore si dhe të gjitha proceset tjera do të duhej t’i determinoheshin procesit të statusit.
XS
SM
MD
LG