Ndërlidhjet

NGECJET NË LUFTËN KUNDËR TRAFIKIMIT TË QENIEVE NJERËZORE


Arton Konushevci

Legjislacioni për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore ekziston, por është funksionalizimi i të gjitha mekanizmave legjislativë që ndikon në fuqinë e kësaj lufte. Kështu është thënë sot, në një konferencë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Rexhep Haxhimusa, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, shpjegon se çfarë do të thotë mungesa e funksionalizimit të organeve që merren me çështjen e trafikimit. "Ne kemi legjislacion. Nuk mund të thotë askush që nuk kemi legjislacion adekuat për reagimin e efektshëm të këtij fenomeni. Por, është shumë e vërtetë që funksionalizimi i të gjitha organeve, që merren me ndjekjen, zbulimin dhe trajtimin e këtij fenomeni, ndoshta, kohë pas kohe, nuk është në nivelin çfarë e kërkon ky fenomen", tha Haxhimusa. Nga ana tjetër, ministri i Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Jonuz Salihaj, pranon se në aspektin ligjor, në luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore ka ngecje. "Këto janë pengesa bukur të mëdha. Nuk mjafton vetëm hartimi i legjislacionit; padyshim, është shkalla e parë, por mandej duhet të kemi kujdes dhe të bëjmë trajnime të posaçme nga Instituti gjyqësor, se si të zbatohet ai legjislacion. Ne kemi ngecje këtu, duhet ta pranojmë se kemi ngecje. Por, jemi në sistem të ndryshimeve të thella të sistemit të drejtësisë. Dhe, kjo, padyshim, do shumë punë, do ende kuadro të reja, do një frymë të re, një qasje të re dhe sigurisht qasje të shoqërisë direkt", pohoi ministri Salihaj. Në një raport të OSBE-së, thuhet se viktimave nuk u janë siguruar garancitë themelore të parapara me ligj, madje shpesh vetë viktimat i janë nënshtruar ndjekjes penale ose kanë qenë të kërcënuara me ndjekje penale. Masat për mbrojtjen e dëshmitarëve janë përdorur shumë rrallë, përkundër kërcënimeve të vazhdueshme që u janë bërë viktimave. Për më tepër, gjyqtarët dhe prokurorët shpesh kanë dështuar të kuptojnë drejt definicionin ligjor të veprës penale të trafikimit, ose kanë lejuar kryesit e veprës të kalojnë pa u dënuar, thuhet në raportin e OSBE-së. Ambasadori, Tim Guldimann, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, thotë se nuk është e vështirë të përpilohet një ligj që do të merrej me këtë fenomen, por thelbësore është zbatimi i këtij ligji. "Është e lehtë të shkruhet një ligj i mirë, por qëllimi është se si të aplikohet ai. Ne po shohim një proces, i cili po përkrahet nga të gjitha institucionet për respektimin e ligjit, jo vetëm nga institucionet vendore, por edhe nga ato ndërkombëtare. Ne e shohim këtë proces nga pikëpamje të ndryshme, jo vetëm se si të shkruhet ligji, por edhe si të kuptohen nocionet", ka thënë Guldimann. Sidoqoftë, problemi i trafikimit të qenieve njerëzore vazhdon të jetë shqetësim i madh për të drejtat e njeriut në Kosovë. Monitorimi i rasteve të trafikimit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjatë vitit 2006 dhe 2007, zbulon një mungesë shqetësuese në aspektin e përgatitjes së autoriteteve të Kosovës që të merren me këto raste, thuhet në një raport të OSBE-së, i cili është publikuar sot, me rastin e përmbylljes së muajit të vetëdijesimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

XS
SM
MD
LG