Ndërlidhjet

VËSHTIRË SE DO TË KETË PËRMIRËSIM TË GJENDJES NË SISTEMIN E ARSIMIT


Nadie Ahmeti

Përmirësimi i gjendjes në sistemin e arsimit dhe rritja e pagave të mësimdhënësve, vështirë se do të arrihen, pavarësisht premtimeve të partive politike, se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të ketë ndryshime rrënjësore në këtë sektor, thonë ekspertë të arsimit dhe udhëheqës të Sindikatës së Arsimit. Ndryshe, me gjithë faktin se në planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje të buxhetit për arsim nga 34 milionë sa ka qenë në këtë vit, në 50 milionë euro, kjo rritje, sipas udhëheqëseve të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës, do të shpenzohet për projektet kapitale në këtë sistem. Ish-ministri i Arsimit, Rexhep Osmani, ndërkaq thotë se me gjithë këtë rritje, pagat e mësimdhënësve vështirë se do të rriten dhe për këtë, thotë ai, premtimet e partive politike janë të paligjshme dhe të rrezikshme për të ardhmen e sistemit të arsimit. “Me buxhetin e vitit 2008 është përcaktuar sa është buxheti i arsimit. Mund të ketë ndonjë ndërhyrje të vogël, por jo ndonjë ndërhyrje, e cila do të ketë përmirësim të gjendjes materiale të arsimtarëve. Këto deklarata pa mbulesë janë të rrezikshme”, thotë Osmani. Edhe Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, nuk i beson aspak premtimeve të partive politike, se nëse i fitojnë zgjedhjet, do të fitojnë punëtorët e arsimit. Ai thotë se koncepti i programeve të partive politike është i paqartë. “Mendoj se është vetëm një fushatë elektorale, e cila nuk do të prodhojë ndryshime të rëndësishme në fushën e arsimit”, shprehet Hyseni. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ali Shabani, thotë se përvoja e deritanishme e premtimeve të përfaqësuesve të partive politike në fushata elektorale, nuk garanton një përmirësim të gjendjes. Megjithatë, ai pohon se nëse në qeverisjen e ardhshme, çështja e sistemit të arsimit merret me seriozitet, mund të ndodhin ndryshime pozitive. “Duke parë programet për arsim, disa nga partitë ende nuk saktësojnë se sa do të jetë ai ndryshim në sistemin e arsimit dhe në pagat e tyre. Por, gjithnjë flasin për cilësi dhe cilësia nuk vjen pa mbështetje financiare”, thotë Shabani. Ndryshe, ish-ministri i Arsimit, Rexhep Osmani, thotë se premtimet aktuale të partive politike, në të ardhmen mund të shkaktojnë probleme dhe revoltë të punëtorëve të arsimit. “Unë nuk i kam të qarta premtimet, premtime këto që më vonë shkaktojnë revoltë dhe pakënaqësi. Nëse premtimet janë pa mbulesë, atëherë problemet do të shtohen dhe konfrontimet do të vijnë deri te pika konfrontuese sociale të paparashikueshme”, thotë Osmani. Kryesindikalisti i arsimit, Ali Shabani, ndërkaq pohon se pas zgjedhjeve të 17 nëntorit, kjo sindikatë vazhdimisht do të kërkojë që premtimet e partive politike, cilado që do ta qeverisë vendin, të përmbushen. “Ne do t’i studiojmë, në kuptimin pozitiv, të gjitha deklaratat e tyre. Jemi duke i mbledhur deklaratat dhe pastaj do t’i sistematizojmë mirë ato. Dhe, atyre që kanë deklaruar dhe vijnë në pushtet, ne do t’u trokasim në dyert tyre, për të kërkuar që ofertat e tyre, që janë bërë në kohën e fushatës, të realizohen”, pohon Shabani. Sidoqoftë, gjatë fushatës elektorale, partitë politike po premtojnë nivelizimin e arsimit me standardet e vendeve evropiane, modernizmin e këtij sistemi, hapjen e universiteteve të reja në disa vende më të mëdha të Kosovës.
XS
SM
MD
LG