Ndërlidhjet

PENSIONISTËT KËRKOJNË KATEGORIZIMIN E PENSIONEVE


Nadie Ahmeti

Udhëheqësit e Sindikatës së Pensionistëve pohojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pensioneve prej 40 në 75 euro për kontribuuesit në sistemin e vjetër pensional, nuk është bërë në kuadër të skemës për kategorizimin e pensionistëve. Pas një viti negociatash me institucionet ndërkombëtare financiare, Qeveria e Kosovës ka ndarë 16 milionë euro për pensionistët e Kosovës, me çka 35 mijë pensionistë që kanë kontribuar në sistemin e vjetër pensional, nga 1 janari do të kenë pension prej 75 eurosh. Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, thotë se kjo rritje mund të jetë bërë për shkak të fushatës parazgjedhore. “Kjo hyn në kontest të asaj objektivisht, në qoftë se jo subjektivisht, se në vlugun e kampanjës lansohet një informatë e tillë. Shtrohet pyetja, pse nuk është bërë kjo në vitin 2005, pasi rekomandimet e Kuvendit kanë qenë të nxjerra më 5 korrik 2005, por bëhet në muajin nëntor të vitit 2007?”, thotë Fehmiu. Ai shton së rritja e pensioneve kontributdhënëse është bërë në mënyrë lineare dhe rritja, sipas Fehmiut, është dashur të bëhet sipas pagesave që janë bërë nga të ardhurat pensionale. “Ato kanë qenë bruto, ato janë sjellë sipas shënimeve të ish-BVI-së; prej 17 deri në 27 për qind të të ardhurave bruto janë ndarë për pension, për sigurim pensional dhe për të gjitha kategoritë, jo vetëm për pensionistët e pleqërisë, por edhe për pensionistët invalidorë dhe pensionistët familjarë”, pohoi Fehmiu. Ilaz Kurteshi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, megjithatë thotë se ky është një hap i qëlluar, ndonëse edhe ai kërkon kategorizimin e përfituesve në bazë të kontributeve në të kaluarën. “Ky është një hap i rëndësishëm, por unë mendoj se duhet të shikohen edhe disa gjëra, të vlerësohen. Në atë drejtim do të bisedojmë edhe brenda organizatës së pensionistëve dhe organizatave të tjera”, thotë Kurteshi. Dhe, për këtë, thotë Fehmiu, sindikata të cilën e udhëheq ai, vazhdimisht do të angazhohet për realizimin e së drejtës së fituar me punë e jo për rritje të pensioneve. “Për arsye se ligji në fuqi, edhe të gjitha normat ndërkombëtare pranojnë të drejtën e fituar në bazë të punës dhe me punë, e sidomos me dhënien e kontributeve. Kjo është, si ta quaj, një bllamazh, në këtë periudhë të kampanjës së zgjedhjeve”, thekson Fehmiu. Sidoqoftë, rritja e pensioneve gjithashtu pason edhe kërcënimet e pensionistëve se nuk do të marrin pjesë në votimet e 17 nëntorit, nëse pensionet nuk rriten.
XS
SM
MD
LG