Ndërlidhjet

logo-print

STANZEL: GJERMANIA PRET 10 DHJETORIN PARA SE TË MARRË VENDIM PËR STATUSIN E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Gjermania është e përcaktuar që të presë fundin e procesit shtesë të negociatave, para se të marrë një qëndrim më të qartë në lidhje me statusin e Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë, drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Volker Stanzel. Gjatë vizitës në Prishtinë, diplomati gjerman ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit e opozitës. Stanzel tha se Qeveria gjermane nuk mund të pozicionohet që tani lidhur me statusin e Kosovës, kur dihet se procesi i negociatave nuk ka përfunduar. Ai nuk deshi t’i komentojë disa shkrime në mediat gjermane, sipas të cilave, Qeveria e këtij vendi tashmë ka vendosur ta njohë Kosovën e pavarur. “Sikur të ishte ashtu, unë nuk do të vija për vizitë në Kosovë”, tha diplomati gjerman. Vetëm nëse procesi negociator, që po udhëhiqet nga Treshja në përbërje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, dështon në gjetjen e zgjidhjes deri më 10 dhjetor, atëherë duhet të mendohet si të veprohet më tutje, tha Stanzel. “Në qoftë se gjatë bisedimeve deri më 10 dhjetor nuk është e mundur në asnjë mënyrë të gjendet një zgjidhje kompromisi, e pranueshme për të dyja palët, atëherë duhet të mendojmë se si do të veprojmë pas kësaj date”, tha diplomati gjerman, Volter Stanzel. Ai nuk ka dashur të komentojë asgjë as në lidhje me propozimin e ambasadorit, Wolfgang Ischinger, për rregullimin e raporteve Kosovë - Serbi sipas modelit të dikurshëm të dy Gjermanive. Ndërkohë, udhëheqësit kosovarë thanë se presin që Gjermania si dhe BE-ja të luajnë rol shumë të rëndësishëm në procesin e statusit pas datës 10 dhjetor. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se i kishte transmetuar diplomatit gjerman pozicionin e Prishtinës, se pas 10 dhjetorit, Kosova do të lëvizë përpara drejt pavarësisë së saj. ”Ne jemi të përkushtuar që krejt pak ditë të jenë ditë të konsultave, për ta marrë vendimin. Mendoj se Parlamenti i Kosovës do ta marrë vendimin e vet. Ne jemi në partneritet me të gjitha vendet që e mbështesin dhe që e kanë mbështetur këtë proces dhe ecjen e Kosovës drejt pavarësisë, të cilën edhe ta realizojmë”, tha presidenti Sejdiu. Diplomati gjerman është pritur në takime të ndara edhe nga kryeministri Agim Çeku dhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Lideri i PDK-së shprehu besimin e tij se Kosova e pavarur do të njihet gradualisht nga vendet e rëndësishme botërore dhe ato evropiane. “Ne nuk duhet të presim mrekulli, që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian përnjëherë ta njohin pavarësinë e Kosovës, por duam të besojmë që të gjitha vendet e Grupit të Kontaktit, përjashtuar Rusinë, do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ne besojmë fuqishëm se do të kemi qëndrim të harmonizuar, të qartë, të drejtë prej Uashingtonit e Brukselit, për të ardhmen e Kosovës”, theksoi Thaçi. Ndryshe, institucionet dhe partitë politike në Prishtinë në vazhdimësi janë deklaruar se pas Uashingtonit, roli i Gjermanisë në statusin e Kosovës është shumë i rëndësishëm, sidomos pas pozicionimit të qartë të Francës e Britanisë së Madhe pro-pavarësisë së mbikëqyrur, përderisa një pozicionim i tillë nuk është kumtuar ende hapur nga Berlini zyrtar.
XS
SM
MD
LG