Ndërlidhjet

PUBLIKOHET STRATEGJIA PËR INTEGRIMIN E KOMUNITETIT RAE NË SISTEMIN E ARSIMIT


Nadie Ahmeti

Gjendja e arsimimit të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë vazhdon të jetë shumë e rëndë. Sipas të dhënave të fundit, nga niveli parashkollor deri në nivelin e mesëm, numri i fëmijëve të këtyre komuniteteve që janë të përfshirë në arsim, është vetëm 4500, që nënkupton vetëm 1.1 për qind karshi komunitetit shumicë. Ndërkaq, numri i personelit rom, ashkali dhe egjiptas që punojnë në arsim, është vetëm 140 apo 0.53 për qind karshi komunitetit shumicë. Këto të dhëna janë paraqitur sot, me rastin e publikimit të Strategjisë për Integrimin e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë, për periudhën 2007-2017. Me këtë rast, zyrtarë të Qeverisë kanë premtuar se kjo strategji do të zbatohet dhe njëherësh do të përmirësojë dukshëm gjendjen e këtij komuniteti në sistemin arsimor. Fevzi Berisha, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se arsimimi i të gjithë komuniteteve në Kosovë është prioritet i kësaj ministrie. Ai tha se duke pasur parasysh që arsimimi është kusht i domosdoshëm për konkurrencë në tregun e punës, është e nevojshme që pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas ta përfundojnë së paku shkollën fillore dhe të mesme. Për të arritur këtë gjendje, strategjia parasheh hartimin e politikave mbështetëse, siç është dhënia e bursave, në mënyrë që këta fëmijë të vazhdojnë edhe studimet në fusha të ndryshme. “Investimin në arsim, ne nuk e shohim si shpenzim, por si një investim esencial për të ardhmen e fëmijëve të Kosovës. Ky investim kthehet përmes zhvillimit ekonomik dhe shoqëror”, tha Berisha. Bashkim Ibishi, nga Qendra për Integrim e Minoriteteve, tha se niveli i varfërisë, koncepti dhe niveli i ulët i arsimimit të prindërve, kanë bërë që numri i fëmijëve që nuk regjistrohen në shkollë me kohë dhe i atyre që braktisin shkollën, të jetë shumë i madh. “Prej një numri të përgjithshëm, 35-40 mijë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, kemi afër 40 studentë që vijojnë mësimin universitar, që është një numër shumë i vogël në krahasim me popullatën. Gjithsejtë, 4527 fëmijë që është 1.1 për qind në raport me komunitetin shumicë, janë përfshirë në vitin shkollor 2005-2006”, bëri të ditur Ibishi. Por, edhe paragjykimet dhe stereotipat e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera etnike ndaj këtyre komuniteteve, dukshëm vërehen në sistemin arsimor, thotë Ibishi, duke shtuar se kjo reflekton me diskriminimin që bëhet ndaj nxënësve dhe prindërve të këtyre komuniteteve. Prandaj, shton ai, pa një angazhim të mirëfilltë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, vështirë se do të përmirësohet gjendja e këtyre komuniteteve, edhe pas miratimit të kësaj strategjie. “Pa përkushtim të sinqertë dhe serioz, pa konsultim të shpeshtuar dhe vullnet të fortë politik nga Qeveria, partitë politike dhe faktori ndërkombëtar, nuk mendojmë se do të ketë një përmirësim të dukshëm të situatës sonë; përkundrazi, situata mund të vështirësohet”, thotë Ibishi. Ndryshe, zëvendësministri i Arsimit, Fevzi Berisha, tha se kjo ministri do të angazhohet vazhdimisht, në mënyrë që kjo strategji të zbatohet në mënyrën e duhur. “Synimi i MASHT-it, por edhe i institucioneve të Kosovës, për të siguruar arsim cilësor për fëmijët tanë është prioritet dhe angazhim i vazhdueshëm, i cili mund të përmbushet vetëm duke bashkëpunuar me të gjithë, sipas ligjeve dhe synimeve të përbashkëta”, pohoi Berisha. Në Strategjinë për Integrimin e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë, janë paraparë 25 masa të përgjithshme, të cilat mund të konkretizohen në dhjetëra projekte, për të realizuar transformimin e nevojshëm nga gjendja e konstatuar e procesit deri te përmbushja e misionit të Strategjisë.
XS
SM
MD
LG