Ndërlidhjet

logo-print

DACI:”NUK PREMTOJMË BUXHET TË ËNDRRAVE”


Nexhat DACI, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, pse mendoni se elektorati duhet të votojë për partinë tuaj?

NEXHAT DACI
Është vështirë për elektoratin në një shumësi programesh, në një shumësi premtimesh, të përcaktohet për një subjekt politik. LDD-në e karakterizon kjo performancë; nuk sheh ëndrra ditën zgjuar, nuk shet dhe nuk sjell mjegull. Mbi të gjitha, mendojmë se kemi një specifikë të veçantë nga partitë tjera, sepse nuk i japim prioritet me çdo kusht vetvetes apo pushtetit, por i japim prioritet vlerësimit të traditës, ruajtjes së begatisë së traditës, të krenarisë vendore dhe të demonstrimit të asaj që ne e quajmë vendore; ka vlerë për Evropën, të cilës i takon Kosova. Dhe, ajo që na dallon 100 për qind nga të tjerët, është se vërtet atë që e thotë në veçanti lideri i saj, e kanë urdhër edhe të gjithë; atë që e premtojmë, që u themi shtyllave kryesore të jetës në Kosovë, arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë, e realizojmë, edhe atë në kohën që e kemi të planifikuar. Mendojmë se kjo performancë është e mjaftueshme për të na dalluar nga të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Shpeshherë thoni se LDD-ja është parti e zhvillimeve demokratike dhe parti e djathtë. Në çka, në fakt, dallon nga partitë tjera?

NEXHAT DACI
Ne jemi përcaktuar për orientim të qendrës së djathtë, mbështetur në faktin që ekonomia e Kosovës nuk ka arritur kurrë të jetë ekonomi e tregut, nuk ka arritur kurrë t’i përfitojë ligjet dhe trajtimet e ekonomisë së tregut dhe të orientimit të djathtë. Do të thotë, në vazhdimësi ka qenë e ngarkuar mbi çdo normë, edhe sa i përket tatimeve, edhe mungesës së programeve cilësore. Me orientim demokratik, sepse vërtet mbështetemi në bazën e gjerë, në atë se çfarë thotë vullneti i atyre që të japin votën. Por, vendimi i asaj vote formësohet në mënyrë të qëndrimeve që kanë partitë popullore në Evropë, partitë që kanë një orientim të gjatë. Ne, vërtet, mëtojmë të ndjekim atë rrugë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova, në përgjithësi, ka probleme të ndryshme, si në infrastrukturë, ekonomi, bujqësi, mungesa e investimeve të huaja etj. Në cilat drejtime mendoni se duhet të fokusoheni, natyrisht nëse fiton LDD-ja?

NEXHAT DACI
Unë besoj që e kam të garantuar rrugën për ta ndihmuar elektoratin dhe Kosovën, sepse faza e parë do të jetë ajo e fitimit të simpatisë së krejt popullit të Kosovës në krijimin e një aleance të besimit, me resurset ekzistuese në vitin e parë. Ne garantojmë kthimin e besimit të popullit në vetvete, në pasurinë e vet, për të krijuar një unitet, i cili hap investime të mëdha nacionale, investime që Kosovën e kyçin në korridoret evropiane, investime që Kosovën nuk e lënë ‘zorrë qorre’ dhe resurset e saj të pakta në ujë do t’i shfrytëzonim në Kosovë duke ngritur akumulime në Lepenc dhe në Moravë. Do të thotë, investime që hapin jetë për Kosovën, për bujqësinë dhe për turizmin. Prandaj, kjo është arsyeja që unë e them, që ne vërtet jemi të aftë me potencialet njerëzore, me resursin njeri që e kemi shumë të shkolluar, që Kosovën ta bëjmë një vend të preferuar për jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Me çka mendoni t’i realizoni këto projekte, duke marrë parasysh buxhetin e kufizuar që ka Kosova?

NEXHAT DACI
LDD-ja nuk premton buxhet të ëndrrave, por LDD-ja garanton që investuesi kryesor do të jetë një shqiptar, që dijen dhe kapitalin e vet e ka fituar në Evropë dhe në Amerikë dhe ne, me bazën ligjore të protektimit të atij investimi, do ta sjellim kapitalin vendor, i cili pastaj si i tillë do t’i gjejë kooperantët ose do t’i gjejë financuesit në atë vend prej kah vjen. Unë garantoj që Kosova do të jetë e aftë për të tërhequr investime të huaja në kapitale fundamentale, në të cilat kapitali i huaj do ta shohë interesin e vet, sepse do të ulet tatimi në fitim në nivel të vendeve që zhvillohen dhe kanë zhvillim dinamik. E gjithë infrastruktura ligjore do të jetë në favorizim të kësaj dhe unë jam shumë i bindur që me konceptin e ekonomisë së tregut dhe ekonomisë së partive të qendrës së djathtë, do ta mundësojmë një shtrirje të fuqishme të grumbullimit të tatimeve nga të gjitha bizneset horizontale dhe me atë do të rritet edhe buxheti i Kosovës, ndërsa do t’i kthehet Kosovës në formë të investimeve të ndryshme.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG