Ndërlidhjet

ÇEKU KËRKON TA NJOFTOJË NJU JORKUN SE KOSOVA DO TA SHPALLË PAVARËSINË PAS 10 DHJETORIT


Zijadin Gashi

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka kërkuar sot nga shefi i Misionit të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker, që ta njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, se menjëherë pas 10 dhjetorit, Kosova do ta shpallë pavarësinë e saj. Kryeministri i Kosovës u shpreh kundër vonesave e zvarritjeve tjera, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të jetë e njoftuar me synimet e lidershipit të Kosovës. “Kërkova nga Rueckeri që t’ia përcjellë vendosmërinë tonë Sekretarit të Përgjithshëm, që ai të dijë dhe të jetë në njohuri që ne jemi transparentë, sepse ky është proces i udhëhequr nga vetë ai, që ta dijë se qytetarët dhe liderët e Kosovës nuk mund të presin gjatë pas 10 dhjetorit dhe ai duhet të llogarisë edhe me shpalljen e pavarësisë nga ana e jonë”, tha Çeku. Në anën tjetër, Ruecker tha se zgjidhja për Kosovën duhet të arrihet deri më 10 dhjetor. Edhe ai është shprehur kundër zvarritjeve tjera në procesin e statusit të Kosovës. “Është e nevojshme që t’i jepet rasti Treshes që ta përmbyllë procesin deri më 10 dhjetor, por ne të gjithë kemi shprehur vërejtjen se nuk mund të ketë zvarritje tjera dhe ndjenja që kjo është çështje urgjente, është shprehur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm në Nju Jork”, tha Ruecker. Mirëpo, mesazhet e kryeministrit Çeku, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki Moon, megjithatë nuk janë ende mesazhe edhe të Ekipit Negociues të Kosovës. Pas një takimi që ka zhvilluar sot ekipi kosovar, u tha se nisma e Çekut nuk ishte trajtuar në këtë takim. Zëdhënësi Skënder Hyseni tha se pala kosovare do të dalë me qëndrime shumë të qarta për statusin e Kosovës para datës 10 dhjetor, kur pritet të përmbyllet edhe faza shtesë e negociatave. “Para 10 dhjetorit, Ekipi i Unitetit do të mblidhet dhe do të vendosë për të gjitha hapat e ardhshëm pas 10 dhjetorit. Para kësaj date nuk mund të thuhet asgjë”, theksoi Hyseni. Ndërsa nga disa liderë kosovarë janë dhënë vlerësime pozitive lidhur me propozimin e diplomatit gjerman, Wolfgang Ischinger, për aplikimin e modelit gjerman të vitit 1972 edhe për raportet Kosovë – Serbi, delegacioni i Kosovës në takimin e sotëm, sipas Hysenit, ka mbetur në pozicionin e vet, se traktati i propozuar për fqinjësi të mirë me Serbinë është dokumenti më i mirë për rregullimin e raporteve mes dy vendeve. “Kosova është rast unik dhe i veçantë dhe për të nuk mund të merren modele të gatshme”, tha Hyseni. Të dielën, Ekipi i Unitetit niset për në Vjenë, ku, më 5 nëntor, zhvillon edhe një takim me Treshen ndërmjetësuese dhe me Beogradin, ndërkaq pas Vjenës, ekipi kosovar vazhdon një turne diplomatike në Portugali, Itali e Gjermani, ku pritet të diskutojë çështjen e statusit me shefat e diplomacive të këtyre vendeve.
XS
SM
MD
LG