Ndërlidhjet

MATTHEW KAMINSKI: SHQIPTARËT ME KURRFARË ÇMIMI NUK DUAN TË MBESIN NËN SOVRANITETIN E SERBISË


Intervistë me redaktorin në gazetën Wall Street Journal, MATTHEW KAMINSKI

RADIO EVROPA E LIRË
Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Nikolla Shpiriç, dha dorëheqje në shenjë proteste kundër masave të Përfaqëuesit të Lartë, Mirosllav Lajçak. Përfaqësuesit e Republikës Serbe paralajmëruan se do të tërhiqen, ndërsa në kontest u përfshi Beogradi. Kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se ruajtja e Kosovës dhe Republikës Serbe janë dy qëllimet më të rëndësishme kombëtare të Serbisë. Si do të zgjidhet kjo krizë?

MATTHEW KAMINSKI
Zhvillimet rreth Kosovës dhe Republikës Serbe të Bosnjes janë të lidhura, por jo në mënyrën si dëshiron ta paraqesë Qeveria e Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare, e cila intervenoi në Bosnje dhe në Kosovë, tash pas 12, përkatësisht 8 viteve të luftës, përballet me problemin e mosfunksionimit të shtetit dhe protektoratit. Është koha që Shtetet e Bashkuara përsëri të marrin pozicionin udhëheqës në Ballkan, sepse shihet se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Marrëveshja e Dejtonit, e cila në vitin 1995 ishte zgjidhja më e mirë për përfundimin e luftës, tash është pengesë për zhvillimin e Bosnjes, dhe këtë e thotë edhe hartuesi i saj, Richard Holbrooke. Dokumenti i lartpërmendur duhet të ndryshohet. Gjatë këtyre 12 viteve, serbët para së gjithash, por edhe kroatët, e kanë penguar Bosnjen që të bëhet një shtet funksional. Këtu qëndron kuptimi i masave të fundit të Përfaqësuesit të Lartë dhe paraardhësve të tij. Kur është fjala për Kosovën, rreth 2 milionë shqiptarët me kurrfarë çmimi nuk duan të mbesin nën sovranitetin e Serbisë, dhe mendoj se është në interes të Beogradit që Kosova të bëhet e pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Beograd thonë se nëse shqiptarët e dëshirojnë shtetin e pavarur, atëherë edhe serbët, të cilët janë shumicë në Republikën e Serbëve të Bosnjes, e kanë të drejtën e njëjtë për vetëpërcaktim.

MATTHEW KAMINSKI
Është e mjerueshme për Serbinë që u vra lideri i saj Zoran Xhingjiq, i cili kishte vizion të qartë rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe integrimeve evropiane të vendit. Kuptohet që udhëheqësia aktuale e Serbisë ka trashëguar shumë probleme nga Millosheviqi. Më vjen keq që duhet të them, por Beogradi nuk mund ta ketë fjalën e fundit dhe vendimtare në Bosnje. Perëndimi atje ka investuar shumë para, dërgoi ushtarë, u përpoq të kthehen refugjatët, kështu që tash askush nuk do të lejojë një spastrim të ri etnik. Kur është fjala për Kosovën, mendoj se plani i Ahtisaarit mundëson nivel të konsiderueshëm të mbrojtjes dhe autonomisë për serbët e Kosovës. Për ata është shumë më mirë që të mbeten në shtëpitë e tyre, siç parasheh plani i Ahtisaarit, se sa të përfundojnë në kampe refugjatësh në rast të dështimit të marrëveshjes. Mendoj se Koshtunica dhe Tadiçi nuk e marrin shumë parasysh interesin e serbëve të Kosovës. Po të mos ishte kështu, ata gjithsesi do të kishin më shumë se dy përfaqësues të serbëve të Kosovës në delegacionin 15-anëtarësh të Beogradit. Kam frikë se pjesa më e madhe e asaj që po bën udhëheqësia e Serbisë, ka të bëjë me skenën e brendshme politike e jo me vetë Kosovën, dhe kjo është një lojë shumë e rrezikshme politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni hapin e Beogradit, si përpjekje që në Banja Llukë të mbrohet Kosova apo të fitohet një pjesë e Bosnjes në shkëmbim për humbjen e Kosovës?

MATTHEW KAMINSKI
Mendoj që kryeministri Koshtunica është i brengosur për situatën e brendshme politike në vetë Serbinë. Fatkeqësisht, njerëzit kanë kujtesë të shkurtër, dhe sikur nuk u kujtohet se edhe Millosheviqi manipulonte me çështjen e Kosovës dhe çështjet tjera nacionale. Është turp që Koshtunica dhe Tadiq, njerëzit të cilët kanë luftuar kundër Millosheviqit, tani shfrytëzojnë metoda të ngjashme si ai.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë disa media kanë botuar informacione se gjoja Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë shtyrjen e vendimit për statusin e Kosovës deri në vitin 2020 dhe se në ndërkohë do të investonin nga 7 miliardë dollarë për çdo vit. Administrata amerikane këtë informacion menjëherë e ka përgënjeshtruar. Sipas jush a është Uashingtoni i gatshëm që të pranoj ndonjë shtyrje të vendimit pas 10 dhjetorit, duke pasur parasysh qëndrimin e fortë të Rusisë?

MATTHEW KAMINSKI
Nëse Shtetet e Bashkuara do ta pranonin shtyrjen e vendimit edhe për 6 muaj kjo do të thotë se Rusisë po i bëhej lëshim i madh. George Bush këtë vit ka deklaruar në Tiranë se do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Nuk besoj se Uashingtoni do të lëshoj pe karshi Rusisë në lojërat e saja në Ballkan, të cilat asaj nuk i kushtojnë asgjë në përpjekjet që ti kundërshtoj Shtetet e Bashkuara dhe ta mbajë të ndarë Bashkimin Evropian. Rusia më nuk ka trupa në Ballkan, investimet e saj janë të kufuzuara dhe në esencë nuk ka interes të madh në këtë rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, megjithatë duket se Rusia po e shfrytëzon Kosovën dhe Ballkanin në garën për çështje të tjera, të mëdha, me perëndimin.

MATTHEW KAMINSKI
Në këtë garë me perëndimin, Rusia e shfrytëzon edhe çështjen e armatimit bërthamor të Iranit, Ukrainën, Evropën Lindore. Sido që të jetë, çfarëdo shtyrje e vendimit për statuasin e Kosovës do të reflektohet negativisht në të të gjitha anët: te shqiptarët, pastaj në kredibilitetin e perëndimit, por edhe te serbët, të cilët përfundimisht duhet të lëvizin përpara, të liruar nga trashëgimia historike. Një thënie e vjetër thotë se "serbët janë të gatshëm të vdesin për Kosovën por jo edhe të jetojnë në të". Sa serbë nga Serbia në përgjithësi ishin në Kosovë? Një numër shumë i vogël. Natyrisht, ekziston problemi i mbrojtjes së të drejtave të serbëve lokalë, kthimit të refugjatëve, pastaj çështja e sigurisë. Unë kam pasur rastin të bisedoj me serbët në veri të Mitrovicës dhe në jug të Ibrit. Të gjithë ata dëshirojnë të mbeten në shtëpitë e tyre, që NATO-ja edhe mëtutje të jetë e pranishme. Edhe shqiptarët duan që forcat ndërkombëtare të mbesin. Por, eshtë e mundshme që gjërat të dalin jashtë kontrollit. Institucionet e Kosovës, që nuk kanë pushtet shumë të madh në këtë moment, do të mund e humbnin durimin dhe njëanshëm ta shpallin pavarësinë. Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin shumë zgjedhje, por që këtë pavarësi ta njohin, ashtu sikur edhe një pjesë e shteteve evropiane. Trupat e Serbisë nuk janë në Kosovë dhe më as që mund të vijnë atje, prandaj shtrohet çështja e mbrojtjes së serbëve. Kjo gjithsesi se nuk do të ishte epilogu më i mirë. Prandaj, nuk është çështje kyçe se a do të bëhet Kosova e pavarur, por në çfarë konteksti. Çdokush që në Serbi konsideron se është e mundshme që të kthehet sovraniteti i Serbisë ndaj Kosovës e mashtron vetveten.

RADIO EVROPA E LIRË
A munmd të pritet që shpejt pas 10 dhjetorit institucionet e Kosovës ta shpallin pavarësinë, të cilën, siç thatë ju, do ta njihnin Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e vendeve evropiane. Pra, çka mendoni ju?

MTHEW KAMINSKI
Kur presidenti i Francës, Sarkozi në verë propozoi që zgjidhja e statusit të Kosovës të shtyhej për 6 muaj, me gjasë nuk ka pritur që në ndërkohë do të arrihej marrëveshja për një periudhë shtesë për arritjen e konsensusit në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara pranuan shtyrjen sepse dëshirojnë pranim të koordinuar të pavarësië së Kosovës. Pra, Uashingtoni dëshiron që pavarësinë ta pranoj edhe Turqia dhe vendet e mëdha të BE-së. Të jemi të sinqertë, në këtë aspekt nuk është shumë e rëndësishme se çka do të bëjnë Rumania, Greqia dhe disa vende të vogla.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat, sipas jush, do të ishin reagimet e Rusisë nëse situata zhvillohet kështu siç parashikuat?

MATTHEW KAMINSKI
Ndoshta do të bënte zhurmë të madhe, duke tërhequr vërejtjen për një Luftë të Ftohtë të re. Por, ju përkujtoj se ish presidenti rus, Boris Jelcin, në shenjë protesti për shkak të intervenimit të NATO-s e kishte dërguar një anije të vjetër dhe të vogël, e cila pat arritur vetëm, deri në Detin Egje. Në esencë, Rusia nuk mund të bëjë asgjë. Serbët duhet ta rikujtojnë se Rusia, nëpër histori gjithherë i ka braktisur kur ishte në interesin e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka disa që thonë se në rast të pavarësisë, pjesa veriore e saj do të mbetej jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës. Si e shihni ju këtë situatë?

MATTHEW KAMINSKI
Tashmë de facto në Kosovë ekziston ndarje, mendoj në pjesën veriore, që e kontrollojnë serbët. Por, kur Kosova të bëhet e pavarur shtrohet pyetja se a do të jetë Serbia e gatshme që edhe mëtutje të dërgoj mjete të mëdha për rroga të arsimtarëve, të mjekëve dhe për nevoja të tjera, sikur që ka bërë gjatë disa viteve të fundit.

Intervistoi: Dragan Shtavlanin
XS
SM
MD
LG