Ndërlidhjet

logo-print

FRIKA NGA KËRCËNIMET SHTYN DISA SUBJEKTE SERBE TË TËRHIQEN NGA ZGJEDHJET


Zijadin Gashi

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Evropian në Kosovë ka informacione lidhur me shqetësimet e shprehura nga disa subjekte politike serbe, se ato janë të kërcënuara për faktin se janë paraqitur dhe licencuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e sivjetme në Kosovë. Zëdhënësi i Misionit të OSBE-së, Sven Lindholm, thotë se disa nga subjektet politike serbe duan të tërhiqen nga pjesëmarrja në zgjedhje. Në vërejtjet zyrtare, këto subjekte, sipas tij, nuk e kanë thënë se janë të kërcënuara, por thjesht vetëm kanë thënë se nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje. “Sidoqoftë, kemi disa raporte se ka disa kërcënime, qoftë përmes aplikimit të sanksioneve ekonomike apo kërcënimeve tjera individuale, çka është shqetësuese, sepse kjo është e papranueshme dhe të gjithëve duhet t’u lejohet pjesëmarrja në zgjedhje, si dhe e drejta në votim”, thotë Lindholm. Subjektet politike që tërhiqen tani nga procesi zgjedhor, nuk mund të kthehen më, kurse zhvillimet e tilla, siç janë arsyetimet e tërheqjes së tyre si pasojë e kërcënimeve, sipas zyrtarit të OSBE-së, e dëmtojnë procesin e pjesëmarrjes në zgjedhje, sidomos pjesëmarrjen e votuesve serbë. Milorad Sharkoviq, bartës i listës së Iniciativës Qytetare Serbe të Klinës, është një prej atyre që ka vendosur të tërhiqet nga pjesëmarrja në zgjedhje. “Jam tërhequr pas porosisë së Qeverisë së Serbisë që të mos dilet në zgjedhje. Mua, personalisht, nuk më ka kërcënuar askush, por kam frikë se kjo do të më ndodhë nëse nuk tërhiqem”, thotë Sharkoviq. Mirëpo, ka edhe përfaqësues serbë që presin dritën jeshile nga Qeveria e Serbisë, që të dilet në zgjedhje. Sërbolub Maksimoviq, kryetar i Iniciativës Qytetare Serbe – Ekzistenca në Novobërdë, thotë se pret që bisedimet Prishtinë – Beograd të rezultojnë edhe me thirrjen e Beogradit drejtuar serbëve për të dalë në zgjedhje. ”Ne nuk tërhiqemi, por presim që Qeveria e Serbisë të pajtohet me pjesëmarrjen në zgjedhje”, thotë Maksimoviq, sipas të cilit, Qeveria serbe, përmes qendrës së saj koordinuese për Kosovën, edhe ashtu financon të ardhurat dhe programet politike, me të cilat entitetet serbe paraqiten në Kosovë. Thirrjet e Beogradit drejtuar serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje kanë ndikuar te disa prej subjekteve, që njihen si më të mëdhatë politike të këtij komuniteti, që të mos dilet në zgjedhje. Ndërkaq, pas paraqitjes së 8 subjekteve tjera për zgjedhjet parlamentare dhe mbi 20 për ato komunale, disa nga garuesit e lajmëruar janë tërhequr, duke bërë të ditur se kanë marrë kërcënime nga më të ndryshmet. Zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholm, thotë se ditën e zgjedhjeve, megjithatë, në tërë Kosovën do të hapen vendvotimet dhe ato do të sigurohen, që askush të mos pengohet që të votojë lirshëm.
XS
SM
MD
LG