Ndërlidhjet

WELCH:”ÇDO PROBLEM QË MUND TË NDODHË NË KOSOVË, DO TË REZONOJË NË VENDET E BALLKANIT”


Anthony WELCH, ekspert për çështje të sigurisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Welch, ju keni qëndruar për një kohë të gjatë në Kosovë. Por, nga distanca njëvjeçare, që kur jeni larguar nga Kosova, sa kanë ndryshuar gjërat dhe si e vlerësoni situatën politike dhe atë të sigurisë?

ANTHONY WELCH
Së pari, ajo që dua të them është se kur unë u largova në fund të tetorit të kaluar, kisha përshtypjen se njerëzit kishin një shpresë, se e ardhmja po hapej, se do të kishte një stabilitet për Kosovën dhe ndoshta për disa muaj edhe statusi final do të zgjidhej. Siç e dini, kjo nuk ndodhi dhe diskutimet po vazhdojnë. Kur u ktheva, disa javë më parë, gjëja e parë që më ra në sy ishte se njerëzit e kishin humbur këtë frymë, këtë shpresë. Këtu po mbretëron një erë dëshpërimi, arsyeja e së cilës gjendet tek mospërmbushja e shpresave dhe aspiratave. Ata ende po presin, po presin pas afër tetë vjetësh për një lloj zgjidhjeje dhe natyrisht vështirësitë e jetesës po vazhdojnë. Situata me energji elektrike nuk është përmirësuar dhe ekziston një ndjenjë e boshllëkut. Kjo mund të jetë shumë dëshpëruese dhe unë frikësohem se ky është disponimi që e kam hetuar. Tash jemi në fund të vitit 2007 dhe unë vetëm shpresoj se në vitin 2008 do të ketë ndonjë lloj stabiliteti dhe ky stabilitet mund të vijë nga vendime të vështira, të marra nga komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë që Kosova ta dijë se ku gjendet dhe më e rëndësishmja se kah po shkon.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, çka nëse ky vendim nuk merret këtë vit, apo në fillim të vitit të ardhshëm? Në çfarë drejtimesh mendoni se do të çojë ky frustrim i njerëzve?

ANTHONY WELCH
Kjo është një pyetje që po shtrohet nga shumë brenda komunitetit ndërkombëtar dhe brenda institucioneve të Kosovës. Duhet të ketë zgjidhje të së ardhmes së Kosovës. Duke folur me njerëz, në disa muaj të shkuar, shumë nga ta më kanë thënë se ‘po, natyrisht, duam pavarësinë, por më e rëndësishme është që duam një periudhë stabiliteti. Nëse nuk do të ketë pavarësi, nëse do të ketë diçka tjetër, madje edhe nëse do të ketë vazhdim të mbikëqyrjes nga bashkësia ndërkombëtare, ndoshta nga Bashkimi Evropian, atëherë na tregoni dhe ne do të vazhdojmë’. Ajo që po ndikohet më së shumti është ekonomia. Kush do të investojë para, kohë, përpjekje, makineri në Kosovë, kur nuk dihet se si do të jetë e ardhmja. Nuk ka rëndësi shumë se cila do të jetë, edhe pse shumica e duan pavarësinë, por ajo që ka më shumë rëndësi është që për një periudhë, le të themi 10 vjeçare, të ketë stabilitet dhe të dihet se ku qëndron Kosova. Pas kësaj mund të fillojnë investimet. Aktualisht, po jetojmë në një gjendje të paqartë, që nuk lejon gjëra tjera të ndodhin dhe kjo paqartësi duhet ndërprerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur ishit në krye të ISSR-së patët thënë se nuk janë kërcënimet nga jashtë, por ekonomia e dobët kërcënim për sigurinë. Si është tash situata?

ANTHONY WELCH
Nuk mendoj se ka ndryshuar gjë që nga viti 2006, përveç se problemet janë bërë më urgjente. Ende ka jostabilitet ekonomik, ende ka papunësi të madhe. Dhe, kur ke 50 për qind të popullatës pa punë, shumica nga ta të rinj, atëherë ke në duar një bombë të kurdisur, pasi s’ka asgjë më të keqe se të rrish, të pish kafe dhe të mos dish asgjë për të ardhmen. Këtu fillojnë frustrimet dhe këto frustrime çojnë diku. Dhe, fatkeqësisht, është në natyrën e qenieve njerëzore, që kur këto frustrime të shpërthejnë, të kthehen kundër minoriteteve të mjedisit tuaj; e kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur këtu dhe do të ndodhë sërish, derisa të mos ketë një zgjidhje për situatën ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë po flisni për minoritete, disa raporte kanë tërhequr vërejtjen se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, serbët nga Kosova qendrore mund të shpërngulen. Si mund të pengohet një gjë e tillë?

ANTHONY WELCH
Kjo, në fakt, është një mundësi e madhe. Unë, sinqerisht, shpresoj se Qeveria, KFOR-i, policia e UNMIK-ut do të mposhtin çdo tendencë të atyre që ndoshta ndjejnë se kjo është zgjidhja për problemin e tyre. Nuk është. Mendoj se zgjidhja e vetme është që njerëzit e Kosovës të bëhen bashkë dhe t’i zgjidhin problemet kolektive, si ato ekonomike e sociale. Por, kjo nuk ndodh brenda natës. Unë mendoj se populli i Kosovës, në mënyrë të mahnitshme, ka qenë i durueshëm në vitet e fundit. Unë jam më shumë se i befasuar që kemi kaluar vitin 2006 pa vështirësitë që mund të ndodhnin. Unë i admiroj liderët e Kosovës, çfarë kanë bërë për t’i mbajtur të qetë njerëzit dhe i admiroj njerëzit e Kosovës, që kanë qenë kaq të durueshëm. Por, nuk mund të prisni se kjo do të vazhdojë përjetë. Për këtë arsye, është detyrë e bashkësisë ndërkombëtare, që të marrë vendime të vështira që i ka para vetes dhe këtë sa më shpejt që të jetë e mundur, jo vetëm për të mirën e Kosovës, por edhe të rajonit. Çdo problem që mund të ndodhë këtu, do të rezonojë në vendet e Ballkanit dhe prej atje, natyrisht edhe në Evropë. Ky është një problem urgjent që duhet adresuar nga Këshilli i Sigurimit sa më shpejt që të jetë e mundur, por edhe nga BE. Nëse kjo nuk ndodh, do të jetë shumë vështirë për përgjegjësit këtu, që të kujdesen që të mos shpërthejnë frustrimet e kuptueshme të popullit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Welch, bisedimet për statusin po vazhdojnë, palët nuk i kanë afruar qëndrimet. Liderët kosovarë kanë thënë se do ta shpallin pavarësinë nëse s’ka vendim pas 10 dhjetorit, por edhe serbët kanë kërcënuar se do ta shpallin autonominë e veriut. Si mund të shpallet pavarësia e njëanshme dhe të ruhet integriteti territorial i Kosovës?

ANTHONY WELCH
Kjo është një pyetje një milion dollarësh. Është shumë vështirë. Duhet besuar këtyre, që po i udhëheqin bisedimet dhe shpresoj të shohim ndonjë lloj zgjidhjeje të këtij problemi të madh. Nëse nuk ka, atëherë do të përballemi me një çështje krejt tjetër. Nëse Kosova do ta shpallë njëanshëm pavarësinë, atëherë kjo do ta ndryshojë tërë situatën. Dhe, në çdo rast, negociatat do të fillojnë sërish. Komuniteti ndërkombëtar do të thotë se kufijtë e Kosovës do të mbesin të njëjtë dhe ky do të jetë problemi i parë nga deklarimet e palëve për ndryshimin e kufijve. Deklarimit të pavarësisë i nevojitet njohja; unë besoj se do të ketë njohje të mjaftueshme, por kjo nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet që i përmenda. Pavarësia është një gjë e mrekullueshme, por një ditë pas pavarësisë, në të vërtetë, asgjë nuk ndryshon. Atëherë fillon puna e vështirë për të gjithë qytetarët, për liderët dhe komunitetin ndërkombëtar, që t’i ndryshojnë gjërat.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG