Ndërlidhjet

VJENË


Sot, në Vjenë, u mbajt edhe një raund i bisedimeve ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, me ndërmjetësimin e Treshes ndërkombëtare, e cila kishte paraqitur një kornizë prej 14 pikash. Anëtari i Treshes, Wolfgang Ischinger, tha se plani 14 pikësh do të mbetet bazë për negociatat e mëtejme, që vazhdojnë në Bruksel, më 20 të këtij muaji. Por, siç raporton agjencia ‘Reuters’, delegacioni i Serbisë e ka hedhur poshtë këtë propozim, duke e vlerësuar si "tërësisht të papranueshëm". "14 pikat, siç qëndrojnë tash, nënkuptojnë marrëdhënie ndërmjet dy vendeve të pavarura", tha kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, në konferencën për shtyp pas këtij raundi të bisedimeve, në Vjenë. Ai ka këmbëngulur që në dokument duhet të përmendet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nga ana tjetër, delegacioni i Kosovës ka hedhur poshtë propozimin më të ri të Serbisë, që statusi i Kosovës të zgjidhet sipas modelit të Hong Kongut. Zëdhënësi Skënder Hyseni ka thënë se Kosova e Hong Kongu nuk kanë asgjë të përbashkët. Ai më tutje ka thënë se në takimin e sotëm nuk ishte arritur kurrfarë progresi, pasi, sipas tij, pala serbe synon zvarritjen e procesit. Anëtari tjetër i Treshes ndërkombëtare, Alexander Botsan Kharchenko, tha se ai ende besonte se zgjidhja me kompromis ishte e mundshme, por gjasat ishin "shumë të vogla".
XS
SM
MD
LG