Ndërlidhjet

SERBËT E MITROVICËS THONË SE NUK DO TË DALIN NË ZGJEDHJET E 17 NËNTORIT


Zijadin Gashi

Qytetarë serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës thonë se nuk do të dalin të votojnë në zgjedhjet e 17 nëntorit, pasi që kanë frikë se vota e tyre do t’i legjitimonte institucionet e Kosovës, në të cilat ata shprehen se nuk kanë besim. Zoran Nikoliq thotë se nuk mund t’ua japë votën partive dhe institucioneve, të cilave ai nuk u beson. “I pranoj vetëm zgjedhjet që shpallen nga shteti i Serbisë dhe nuk konsideroj se me daljen në këto zgjedhje, serbët do të përmirësonin diçka në kushtet e jetës në Kosovë”, thotë Nikoliq. Serbët, shton ai, nuk kanë liri të lëvizjes dhe nuk ndihen të lirë për tetë vjet me radhë, kështu që për këtë mendon se nuk ka kurrfarë arsyeje, që me votën e tij t’u japë legjitimitet institucioneve të Kosovës. Jelena Mirkoviq thotë se në Kosovë nuk janë pjekur kushtet që komuniteti serb të marrë pjesë në votime. “Nuk do të dal, sepse nuk i konsideroj ato legale dhe as legjitime. Konsideroj se e vetmja gjë që mund të arrihet me daljen e serbëve në këto zgjedhje, do të ishte konfirmimi për institucionet se kanë arritur të krijojnë një shoqëri shumetnike, e cila besoj se nuk ekziston si e tillë”, thotë Mirkoviq. Ndërkaq, pjesëmarrjen në zgjedhje, ajo thotë se nuk e vë në pikëpyetje sa herë që zgjedhjet shpallen nga Beogradi. Aleksandar Mijatoviq përmend tri arsye pse ai nuk do të dalë të votojë më 17 nëntor. “E para, është mosbesimi në institucionet e Kosovës, pasi që liderët shqiptarë, për tetë vjet, nuk kanë sjellë asgjë të mirë për serbët e Kosovës; e dyta, është mosbesimi në vetë liderët serbë dhe arsyeja e tretë është vendimi im si qytetar që të mos dal në zgjedhje, siç ka kërkuar edhe Beogradi”, shprehet Mijatoviq. Edhe Lubisha Radivojeviq thotë se nuk do të dalë në zgjedhje, për të cilat pohon se nuk ka as interesim. “Serbët e Kosovës janë njerëz mjaft të guximshëm dhe mendoj se do të bëjnë zgjedhje të duhur. Por, ata nuk janë pyetur për këto zgjedhje dhe ato janë caktuar nga dikush tjetër. Kështu që konsideroj se nuk duhet të dilet në zgjedhje”, thekson Radivojeviq. Ndryshe, pjesa veriore e Kosovës edhe ashtu njihet për ndikimin e madh që kanë strukturat paralele serbe, të dirigjuara nga Beogradi, ndërkohë që administrata e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur ta shtrijnë funksionimin e plotë të tyre atje.
XS
SM
MD
LG