Ndërlidhjet

logo-print

SA I PËRMBUSH KËRKESAT PROJEKT-BUXHETI PËR VITIN 2008?


Nadie Ahmeti

Projekt-buxheti për vitin e ardhshëm, që kap shumën 816 milionë euro, mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe në uljen e papunësisë, vetëm nëse shpenzimet kapitale menaxhohen në mënyrën e duhur, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Besim Beqaj, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se një mundësi e tillë ekziston, por Qeveria e ardhshme, thotë ai, duhet të fokusohet në zhvillimin e bizneseve. “Me një organizim të shpenzimeve kapitale, të cilat duhet të orientohen në formë të rregullt, sigurisht se mund të ndikojë, sepse nëse ka investime në mundësinë e bërjes së biznesit, atëherë natyrisht se bizneset do të zhvillohen dhe me zhvillimin e biznesit, do të zhvillohet punësimi. Zhvillimi i punësimit është rruga e vetme që të reduktohet varfëria”, thotë Beqaj. Me gjithë vështirësitë për një zhvillim më të mirë ekonomik, me projekt-buxhetin për vitin 2008, një gjë e tillë mund të ndodhë, thotë Nazmi Zeqiraj, profesor në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë. Ai thotë se projekt-buxheti për vitin e ardhshëm është shumë i vogël, por, sipas tij, gjasat për rritjen e buxhetit ekzistojnë. “Buxheti i Kosovës prej 800 milionë eurosh nuk e ka mundësinë që të krijojë vende të reja të punës. Në tregun e Kosovës më shumë hyjnë në tregun e punës, do me thënë plotësojnë kushtin 18 vjet, sesa mund të krijojë Qeveria me buxhetin ekzistues vende të reja të punës”, pohon Zeqiraj. Megjithatë, ai thotë se ka forma të ndryshme që Qeveria duhet t’i përdorë, në mënyrë që të zhvillohet ekonomia, mënyrë kjo që automatikisht edhe e ul shkallën e varfërisë dhe të papunësisë në Kosovë. Zeqiraj thotë se ka ende fonde rezervë të buxhetit, të cilat mund të shfrytëzohen për këtë fushë. “Janë rreth 300 milionë euro të pashpenzuara, fonde rezervë, që mund të shpenzohen për uljen e varfërisë. Mos të harrojmë se kemi edhe dy fonde, të cilat ende mbesin të ngrira. Është Fondi Pensional, i cili sorollatet jashtë vendit dhe i dyti është Fondi i AKM-së, i cili, për arsye ende të pashpjeguara mirë, nuk lirohet”, tha Zeqiraj. Element tjetër që mund të ndikojë në uljen e varfërisë në Kosovë me këto fonde, Zeqiraj thotë se është investimi që duhet të bëhet në zhvillimin e bujqësisë. “Qeveria ka identifikuar një sektor mjaft interesant - bujqësinë, sektor ky që mund të thithë një fuqi punëtore mjaft të madhe. Dhe, ka fuqi punëtore të edukuar, çfarë është interesant”, shprehet Zeqiraj. Por, e gjithë kjo varet se çfarë prioritetesh do të ketë Qeveria, e cila do të formohet pas zgjedhjeve të 17 nëntorit, thotë Besim Beqaj, nga Oda Ekonomike e Kosovës. “Prioritet numër një duhet të jetë zhvillimi ekonomik dhe nëse koordinohen mirë edhe me shoqërinë civile dhe me organizatat e biznesit, unë mendoj se do të ketë mundësi që të fillohet të ndikohet në zvogëlimin e papunësisë dhe të varfërisë në Kosovë”, thotë Beqaj. Ndryshe, në krahasim me buxhetin e këtij viti, që kap shumën 716 milionë euro, buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 816 milionë euro. Megjithatë, Qeveria e Kosovës ka vendosur dje, që niveli i shpenzimeve për vitin 2008 të arrijë në 1 miliard e 27 milionë euro, shumë kjo që do të grumbullohet nga suficiti buxhetor i viteve paraprake.
XS
SM
MD
LG