Ndërlidhjet

TAKIMI I VJENËS – KONKRETIZIM I QËNDRIMEVE APO REPRIZË?


Arton Konushevci

Analistët kosovarë, takimin e fundit të bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, që ka përfunduar në Vjenë, e shohin si një avancim dhe konkretizim të qëndrimeve të deritashme. Ramush Tahiri mendon se gjatë këtij takimi është pritur që palët në bisedime të mos marrin asnjë masë, që do ta pengonte vazhdimin e bisedimeve të ardhshme. “Ka përafrim të qëndrimeve ndërmjet palëve dhe ka konkretizim të bisedimeve. Është biseduar për modelin konkret, siç është ai i Hon-Kongut dhe për kompetencat konkrete që kanë të bëjnë me paraqitjen e tri dokumenteve, edhe të palës kosovare, edhe të palës serbe, edhe të 14 pikave të Treshes ndërmjetësuese. Unë konsideroj se ka një avancim sa i përket kërkesave të serbëve, se serbët nga dy kërkesa që i patën, njëra që të mos ketë vendime të njëanshme dhe tjetra që të futet Rezoluta 1244, në raportin e Treshes nga ky takim u tha se zgjidhja shihet në kuadër të Rezolutës 1244 dhe gjithashtu në një riformulim u tha se palët obligohen që mos të ndërmarrin asnjë masë, që do të ishte në kundërshtim me frymën e bisedimeve”, u shpreh Tahiri. Ai tha se e rëndësishme është që bisedimet të mos ndërpriten. “Propozimi i palës kosovare, që është më keq për pavarësinë e Kosovës, nuk është diskutuar deri më tash dhe asnjëherë ju nuk keni dëgjuar deklarime se po bisedohet për këtë punë. Ndërsa, propozimi i palës serbe është hedhur poshtë me arsyetim dhe me vërejtje që këtu kemi të bëjmë me dy popuj dhe me një trashëgimi tjetër, por jo sa i përket kompetencave që parashihen. Për shembull, askund nuk është thënë që nuk pajtohemi që të mos kemi ushtrinë, apo të mos kemi politikën e jashtme, apo të mos kemi këto që janë kufizime për Hong-Kongun. Do me thënë, është hedhur poshtë politikisht, por jo në sensin e analizës politike juridike”, tha Tahiri. Ndërsa analisti tjetër, Driton Lajçi, thotë se takimi i djeshëm në Vjenë nuk solli asgjë të re veç asaj që është e njohur, që pala serbe vazhdon të sjellë propozime të papranueshme vetëm për zvarritje të procesit. “Takimi, në njëfarë mënyre, është reprizë e takimeve të tjera, që kanë ndodhur më herët. Mirëpo, në një aspekt ka një risi, sepse pala serbe gradualisht po ofron pozicion të ri, po prezanton oferta të reja, siç ishte ajo e Hon-Kongut, që do të thotë se serbët janë duke luajtur një rol fleksibil karshi statusit politik të Kosovës dhe, në njëfarë mënyre, duan ta krijojnë përshtypjen se janë palë negociuese”, tha Lajçi. Sipas tij, pala serbe po angazhohet që çfarëdo zgjidhje që mund të ndodhë, të jetë në kuadër të Rezolutës 1244. Por, ai nuk parasheh që gjatë këtij procesi të arrihet ndonjë marrëveshje mes palëve. Në anën tjetër, Tahiri mendon se deri në fund të këtyre bisedimeve, megjithatë do të arrihet një kompromis, që, sipas tij, mund të jetë edhe pavarësi për Kosovën, por edhe lidhje simbolike me Serbinë. “Unë mendoj se do të arrihet rezultat dhe do të arrihet kompromis, ajo që thuhet edhe pavarësi për Kosovën, edhe lidhje me Serbinë. Dhe, kjo mendoj se do të bëhet në takimin që është caktuar më datën 20 dhe është gjithashtu e rëndësishme, që sipas shembullit të Konferencës së Dejtonit, takimi do të zgjasë disa ditë. Do me thënë, deri sa të arrihet pajtueshmëri maksimale apo e plotë e qëndrimeve“, tha Tahiri. Por, Lajçi përjashton çdo mundësi të ndonjë marrëveshjeje që do të mund ta mbante lidhur Kosovën me Serbinë. “Kjo është absolutisht e papranueshme. Së pari, pala negociatore e ka marrë obligim nga institucionet e Kosovës dhe Kuvendi, që t’i prezantojë dhe t’i mbrojë parimet e pakos së Ahtisaarit, pakon e Ahtisaarit në tërësi. Çfarëdo lidhjeje me Serbinë, çfarëdo qoftë ajo, sado e hollë apo sado e vogël, do të jetë fatale për të ardhmen e Kosovës”, theksoi Lajçi. Bisedimet e ardhshme midis të dyja palëve do të mbahen pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore të 17 nëntorit dhe deri në afatin e caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, kanë mbetur edhe dy raunde bisedimesh.

XS
SM
MD
LG