Ndërlidhjet

KQZ-JA NË FAZËN E FUNDIT TË PËRGATITJES PËR ZGJEDHJE


Bekim Bislimi

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, sistemi zgjedhor për zgjedhjet e 17 nëntorit është me lista të hapura dhe kërkon më tepër kohë për votimet e qytetarëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përpjekje maksimale, që të krijohen të gjitha kushtet që kohëzgjatja e votimeve nga qytetarët në këto zgjedhje, të jetë sa më e shkurtër. Kështu thotë Mazllum Baraliu, kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. ”Natyrisht që procesi është dukshëm më kompleks sesa në zgjedhjet e kaluara, kur kanë qenë një palë zgjedhje. Tash janë tri palë, por, megjithatë, kemi bërë përpjekje maksimale që të thjeshtësohet dhe të shkurtohet afati apo kohëzgjatja e votimit. Kemi rritur në këtë aspekt numrin e qendrave të votimit, kemi rritur po ashtu numrin e vendvotimeve. Kemi zvogëluar numrin e votuesve në një vendvotim, në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Shpresojmë se do të kemi kohë të mjaftueshme që qytetarët të votojnë”, thotë Baraliu. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas tij, ende nuk ka ndonjë parashikim, se sa mund të jetë mesatarja e kohëzgjatjes për procesin e plotësimit të fletëvotimit, por siç thotë Baraliu, tashmë janë ndërmarrë të gjitha hapat që procesi i votimit, në tërë Kosovën, të përfundojë brenda një dite. ”Përgatitjet maksimale janë bërë, pikërisht që ky proces të mos kalojë më gjatë se një ditë, por nëse eventualisht ka nevojë në ndonjë vendvotim, që ka rende të gjata të qytetarëve, është lejuar mundësia që KQZ-ja, me vendim të veçantë, kohën e paraparë për ditën e zgjedhjeve nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 19, ta zgjasë për ndonjë kornizë kohore, aq sa ka nevojë, gjysmë orë, një orë... Pra, ka mundësi që KQZ-ja me vendim ta bëjë këtë”, pohon Baraliu. Ai thotë se numërimi i fletëvotimeve të qytetarëve do të jetë i mundimshëm, për faktin se votohet për tri nivele, për Parlament të Kosovës, për kryetar të komunave, si dhe për kandidatët për kuvendet komunale. Sipas tij, nuk mund të parashikohet me saktësi se sa kohë mund të marrë ky proces. ”Ne kemi bërë edhe në atë aspekt përgatitje. Jemi të vetëdijshëm se ka shumë punë për t’u bërë. Kemi lidhur kontratat dhe pritet trajnimi, këto ditë, e pastaj puna e një numri të madh të njerëzve të kualifikuar për këtë punë, që njohin teknologjinë informative dhe gjuhën e huaj, pra gjuhën angleze. Diku 620 punëtorë do të punojnë në qendrën e numërimit të rezultateve dhe besoj se kemi një numër të mjaftueshëm që do ta kryejë punën në mënyrë efikase dhe profesionale”, thotë Baraliu. Sidoqoftë, ai pohon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke zhvilluar fazën e fundit të përgatitjeve për zgjedhjet e 17 nëntorit dhe ky proces përgatitor është duke u përkrahur nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG