Ndërlidhjet

logo-print

GJASHTË TË VRARË NË MAQEDONI


Isuf Kadriu

Së paku gjashtë pjesëtarë të grupeve të armatosura janë vrarë në aksionin e sotëm të forcave speciale të policisë, në fshatrat e Malësisë së Tetovës, ka kumtuar Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas zëdhënësit të policisë, Ivo Kotevski, gjatë këtij aksioni, për, siç thuhet, likuidimin e grupeve kriminale, nuk ka të vrarë apo të plagosur pjesëtarë të forcave speciale të policisë. Grupet kriminale janë asgjësuar, ndërsa njësitet speciale të mbështetura edhe nga helikopterët, edhe më tej ndodhen në terren, thanë përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme. Drejtori i spitalit në Tetovë, Hasan Luma, tha se deri rreth orës 14, në këtë spital nuk janë sjellë të vrarë apo të plagosur. “Në spitalin e Tetovës nuk është sjellë asnjë pacient i lënduar. Definitivisht, unë mbaj përgjegjësi për këto fjalë deri në këtë orë. Më tutje nuk e di se si do të jetë”, tha Luma. Informacionet për të vrarë janë publikuar edhe nga disa agjenci, sipas të cilave, bëhet fjalë për civilë të vrarë dhe për disa shtëpi të djegura. Prefekti i Tetovës, Hazbi Lika, tha për radion Evropa e Lirë, se ka njohuri vetëm për shtëpi të djegura, por jo edhe për civilë të vrarë. Sipas zotit Lika, gjendja në Tetovë është tejet alarmante, pasi që popullata druan nga përsëritja e konfliktit të vitit 2001. “Ka tension, sepse ne e dimë që nuk jemi larg nga koha kur u zhvillua këtu një konflikt dhe sigurisht që ka frikë se mos do përhapet kjo. Njerëzit janë të shqetësuar, nuk e dinë se çfarë është duke ndodhur. Porosia ime do të ishte që me gjakftohtësi të merren gjërat nga të gjitha palët, që të mos lejojmë të eskalojë situata”, tha Lika. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Armatës Kombëtare Shqiptare, Gafurr Adili, ka mohuar për mediat vendase që pjesëtarët e këtij formacioni të jenë të përfshirë në luftimet e sotme në Tetovë. Nga informacionet që ka FBKSH-ja, ata që po luftojnë në Malësinë e Tetovës, janë ish-guerilët e pakënaqur të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Rebelimi ka ardhur si rezultat i mosimplementimit të marrëveshjes së Ohrit, ka thënë Adili, duke akuzuar pushtetin në Shkup, për, siç shprehet ai, konfliktin e krijuar. Gjendja e sigurisë në Maqedoni, së fundi, ka qenë në qendër të vëmendjes së partive politike, të cilat në vazhdimësi akuzuan njëra-tjetrën, se pjesëtarët e grupeve të armatosura janë të kësaj apo të asaj partie politike. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, gjendja e sigurisë në vend është vlerësuar si e kënaqshme, për dallim nga e kaluara, kur incidentet kanë qenë më të shpeshtuara në ish-zonat e prekura nga konflikti i vitit 2001.
XS
SM
MD
LG