Ndërlidhjet

RUECKER: BAN KI MOON ËSHTË I NJOFTUAR SE KOSOVARËT DUAN TA SHPALLIN PAVARËSINË


Zijadin Gashi

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker, ka thënë sot se UNMIK-u, KFOR-i, si dhe strukturat lokale të sigurisë, janë të përgatitura për ta mbajtur sigurinë dhe qetësinë në Kosovë, si tani, ashtu edhe pas 10 dhjetorit, kur përfundon faza shtesë e negociatave. Ruecker tha se nuk i përket atij të spekulojë apo paragjykojë për rrjedhat e procesit të statusit dhe as për zhvillimet eventuale, por përderisa procesi të mos jetë i përmbyllur, UNMIK-u, shtoi ai, i jep mbështetje të plotë Treshes ndërkombëtare në punën që po bën. Ndërkaq, lidhur me paralajmërimet e lidershipit kosovar, sidomos të kryeministrit Agim Çeku, se Kosova do ta deklarojë pavarësinë menjëherë pas 10 dhjetorit, Ruecker tha se për këto synime të Prishtinës janë të njoftuar të gjithë, përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. “Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara është i njoftuar dhe i di aspiratat e lidershipit të Kosovës, por ai nuk ka drejtuar ndonjë deklaratë publike dhe as ndonjë mesazh të drejtpërdrejtë për mua”, tha Ruecker. Ai nuk ka dashur të paragjykojë asgjë as në lidhje me kundërpërgjigjen që ai do të kishte, në rast se Kuvendi i Kosovës deklaron pavarësinë pas 10 dhjetorit. “Unë nuk do të spekuloj asgjë se çka mund të ndodhë në këtë apo atë rast, pas 10 dhjetorit”, u shpreh shefi i UNMIK-ut. Ndryshe, Ruecker është përqendruar edhe në rrjedhën e deritashme të procesit të zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore. Procesi, sipas tij, po kalon mirë në njërën anë, por pengesat në këtë proces, shtoi ai, vijnë nga Beogradi, i cili vazhdon t’i dekurajojë serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ndikimi mbi subjektet politike apo votuesit, si dhe kërcënimi i tyre, është një gjest jodemokratik dhe veprim kundër parimeve demokratike dhe të të drejtave të secilit që të zgjidhet apo të zgjedhë, tha Ruecker. Probleme të veçanta gjatë ditës së zgjedhjeve, vëzhguesit kanë paralajmëruar sidomos në pjesën veriore të Kosovës, por Ruecker tha se vendvotimet do të hapen edhe atje dhe ato do të sigurohen që secili të mund të votojë lirshëm. “Unë mund të garantoj se do të ketë infrastrukturë teknike për votim në tërë Kosovën, e po ashtu edhe në veri”, tha Ruecker. Sipas tij, nëse nuk lejohet të shfrytëzohen shkollat si qendra të votimeve, atëherë UNMIK-u do të vendosë atje qendra lëvizëse, në të cilat qytetarët do të votojnë. Ai garantoi edhe siguri për të gjithë, duke u mbështetur edhe në përkrahjen që KFOR-i dhe policia do t’i japin gjithë procesit zgjedhor dhe atij të votimeve më 17 nëntor.
XS
SM
MD
LG