Ndërlidhjet

NË KËRKIM TË 20 PËRQINDËSHIT NGA NDËRMARRJET E PRIVATIZUARA


Arton Konushevci

Punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara nën mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, sot, me anë të një proteste, kanë kërkuar që 20 përqindëshi që u takon me ligj, të shpërndahet pa asnjë pengesë. Remzie Idrizi, anëtare e Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës, ka kërkuar zbatimin e të gjitha rregulloreve për shpërndarjen e 20 përqindëshit nga AKM-ja. “Shpërndarjen e menjëhershme të mjeteve të 20 përqindëshit punëtorëve, për ato ndërmarrje që janë privatizuar, si dhe të fillojë shpërndarja e fondit 80 për qind me prioritet ndaj pagave të papaguara dhe obligimeve të tjera ndaj punëtorëve; respektimin e kontratave për privatizimin e ndërmarrjeve me spin-off special, si dhe transparencën e këtyre kontratave për sindikatat”, ka thënë zonja Idrizi. Edhe Alush Sejdiu, anëtar i këshillit protestues, është i mendimit se 20 përqindëshi që u takon punëtorëve nga privatizimi i ndërmarrjeve publike, duhet të jetë i paprekshëm dhe jo i bllokuar nga AKM-ja. “Duhet të bëhet shpërndarja. Ne fuqishëm kundërshtojmë dhe kërkojmë kthimin normal të të drejtave të punëtorëve. Mos të flasim për neglizhencën e tepruar që është duke bërë AKM-ja me rastin e shpërndarjes”, u shpreh zoti Sejdiu. Nga ana tjetër, Haxhi Arifaj, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit e sheh si problemin kryesor në këtë drejtim. “Problem në mosdhënien e 20 përqindëshit është decidivisht departamenti i 20 përqindëshit në kuadër të AKM-së, ku ai departament nuk funksionon sipas kërkesave të BSPK-së. Aty nuk janë përfillur kërkesat tona që i kemi bërë iks herë. Nesër do ta kemi një takim me drejtorin e AKM-së, pikërisht për këtë, pse nuk zbatohen kërkesat tona që të përshpejtohet kjo pagesë e 20 përqindëshit”, tha zoti Arifaj. Sipas tij, i cili është edhe anëtar në Bordin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, mosshpërndarja e 20 përqindëshit për punëtorët që kanë kontribuar me vite të tëra në ndërmarrjet shoqërore, më së shumti i konvenon departamentit që merret me menaxhimin e 20 përqindëshit në AKM. “Pikërisht, në departamentin e 20 përqindëshit pranë AKM-së, nuk janë të zotët, në këtë përbërje siç janë, t’i kryejnë punët dhe u konvenon që të mbesin sa më gjatë, të marrin paga të mira dhe nuk duan t’i aktivizojnë njerëzit tjerë, një potencial që do t’i kishte kryer shumë shpejt këto dhe nuk do të kishte pasur pengesa”, tha zoti Arifaj. Megjithatë, Ekrem Tahiri, zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, thotë se shpërndarja e mjeteve për punëtorë është duke u bërë, por, sipas tij, procedurat ligjore marrin kohë. “Ndarja e 20 përqindëshit për punëtorët është duke u bërë vazhdimisht. Është një proces që ka filluar para disa viteve dhe është duke vazhduar. Mirëpo, është procedurë e tillë, është procedurë ligjore, ka disa hapa që duhet të bëhen prej fillimit deri në fund e që marrin kohë. Prandaj, ne mendojmë se vonesat janë të natyrës procedurale. Do me thënë, procedura e formimit të listës, e publikimit, shqyrtimi i ankesave që ka filluar prej këtij viti, publikimi prapë i listës, shqyrtimi i ankesave nga Oda e veçantë dhe në fund kalkulimi, pasi që Oda e veçantë ta marrë vendimin dhe shpërndarja e këtyre mjeteve”, theksoi Tahiri. Ai tha se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, deri më 1 tetor, ka shpërndarë shumën prej më shumë se 15 milionë euro për 57 ndërmarrje të privatizuara. Nga shuma e tërësishme e shitjes së një ndërmarrjeje, sipas rregullave të AKM-së, 20 për qind e mjeteve u ndahet punëtorëve, ndërkaq pjesa tjetër, prej 80 për qind, ruhet në Fondin e Mirëbesimit.
XS
SM
MD
LG