Ndërlidhjet

SHKUP


Forcat speciale të Maqedonisë kanë vrarë të paktën katër pjesëtarë të një "grupi kriminal të armatosur" në përleshjet disa orëshe gjatë një operacioni në fshatrat të Malësisë së Tetovës.
"Katër pjesëtarë të një grupi kriminal të armatosur janë vrarë në aksionin e policisë ndërsa gjashtë janë plagosur", ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski.
Ai tha se nuk ka policë në mesin e të vrarëve, dhe shtoi se në mesin e viktimave nuk ndodhet udhëheqësi e grupit, Lirim Jakupi i arratisur kohë më parë nga një burg në Kosovë. Policia tha se gjashtë persona janë arrestuar, ndërsa është konfiskuar një sasi e madhe armësh dhe municioni.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Hazbi Lika i tha Radios Evropa e Lirë se nga zona ku është zhvilluar operacioni raportohet për shtëpi të djegura. Aksioni u zhvillua në fshatrat Brodec, Vejcë dhe Veshallë, të banuara me shqiptarë.
Zëdhënësi i NATO-s në Kosovë ka thënë se gjatë operacionit është rrëzuar një helikopter i policisë maqedonase, por zëdhënësi i policisë në Shkup ka mohuar njoftimin.
Në Prishtinë, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani tha se situata e sigurisë në anën kosovare është e qetë, ndërsa kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë vazhdon të mbetet i hapur.
XS
SM
MD
LG