Ndërlidhjet

SHKUP


Gjashtë të vrarë, gjashtë të plagosur dhe disa të arrestuar është bilanci i aksionit 'Stuhia malore' të forcave speciale të Maqedonisë kundër grupeve të armatosura në Malësinë e Tetovës. Më herët, policia pat njoftuar për katër të vrarë, por sipas zëdhënësit Ivo Kotevski, dy trupat tjerë janë gjetur pranë fshatit Brodec, ku është zhvilluar aksioni kundër "bandës kriminale" të arratisur nga burgu i Dubravës në Kosovë.
"Përfundimi me sukses i operacionit 'Stuhia malore' është mesazh i qartë për të gjithë kriminelët se të gjithë ata do të përfundojnë në këtë mënyrë", tha ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, duke mos dhënë detaje nëse në mesin e të vrarëve apo të plagosurve ndodhet edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Lirim Jakupi. Jankullovska tha se gjatë aksionit të policisë nuk janë regjistruar civilë të vrarë apo të plagosur, dhe shprehu kënaqësinë nga bashkëpunimi që ka ekzistuar me strukturat e sigurisë në Kosovë.
Ndërkaq zëvendës ministri i Brendshëm, Refet Elmazi i ka mohuar njoftimet për rrëzimin e një helikopteri të policisë.
Më herët, Kryetari i Komunës së Tetovës, Hazbi Lika i tha Radios Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në këtë zonë është tejet e tensionuar dhe se banorët druajnë nga përshkallëzimi i situatës.
Gjatë ditës, forcat e sigurisë kanë bastisur edhe disa shtëpi në Shkup dhe kanë arrestuar tetë persona, të cilët sipas Bashkimit Demokratik në opozitë, kanë qenë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Në Prishtinë, zëdhënësi i SHPK, Veton Elshani tha se situata e sigurisë në anën kosovare është e qetë, dhe kufiri Kosovë-Maqedoni është i hapur.
XS
SM
MD
LG