Ndërlidhjet

logo-print

S’KA MUNDËSI TË ZGJERIMIT TË KONFLIKTIT NGA MAQEDONIA NË KOSOVË


Arton Konushevci

Ngjarjet e fundit në Maqedoni nuk janë të dëmshme vetëm për Maqedoninë, por edhe për Kosovën dhe procesin nëpër të cilin po kalon aktualisht, në përpjekje për ta përcaktuar statusin e saj përfundimtar. Këto vlerësime janë bërë nga zyrtarë dhe ekspertë për çështje sigurie. Naim Maloku, madje është i mendimit se përplasjet e armatosura në Malësinë e Tetovës do të kenë ndikim negativ edhe në integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, njëkohësisht duke dërguar edhe sinjale negative për procesin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. “Janë ngjarje, të cilat e kthejnë vëmendjen për të keq nga Kosova dhe Maqedonia. Edhe Maqedonia është në procesin e integrimit në NATO dhe pret ftesën e Samitit të Bukureshtit për t’u anëtarësuar, vitin e ardhshëm, në NATO. Dhe, kjo që ndodhi në Maqedoni, mund të jetë një pengesë në integrimin e saj në këto struktura. Ky incident është i ndërlidhur edhe me njerëz të Kosovës; kjo është ajo që e bën këtë ngjarje shumë të rëndë dhe të keqe për procesin, në të cilin gjendet Kosova sot”, u shpreh Maloku. Megjithatë, ai thotë se zgjerimi i konfliktit të armatosur në territorin e Kosovës nuk është i mundur, sepse ajo që ka ndodhur në Malësinë e Tetovës, është një konflikt i izoluar. ”Sa i përket mundësisë së zgjerimit të incidentit edhe brenda kufijve të Kosovës, mendoj se nuk ka rrezik, për faktin se jam shumë i bindur që është bërë fjalë për një incident të kufizuar dhe nuk do të ketë përmasa më të gjera”, tha Maloku. Edhe ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Blerim Kuçi, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë implikim të situatës, sepse, sipas tij, janë marrë të gjitha masat paraprake të sigurisë. “Sa i përket involvimit të këtyre përleshjeve, mendoj se në Kosovë, megjithatë, nuk do të ketë ndonjë involvim, sepse ne jemi të përgatitur, i kemi marrë të gjitha masat, edhe në kufi, edhe në përgjithësi në Kosovë, që të mos bëhet involvimi i këtyre ngjarjeve. Do me thënë, nuk pres që përleshjet e fundit në Maqedoni, për fat të keq edhe me viktima, të kenë involvim në Kosovë”, theksoi ministri Kuçi. Ai tha se autoritetet e rendit, në bashkëpunim me forcat paqeruajtëse të KFOR-it, në rast të indikacioneve të mundshme për zgjerimin e konfliktit edhe në Kosovë, do ta fuqizonin menjëherë planin operativ që mban emrin ‘unaza e çeliktë’, nëpërmjet të të cilit parashihet bllokimi i kufijve. “Kemi masa më të shtuara në kufi, do me thënë prej SHPK-së dhe KFOR-it. Po ashtu, nëse duhet, jemi të parapërgatitur ta implementojmë edhe planin operativ ‘unaza e çeliktë’. Megjithatë, është konsideruar që nuk është e nevojshme, nuk përkon me situatën implementimi i këtij plani operativ. Do të thotë, situatën e kemi nën kontroll”, tha Kuçi. Përndryshe, përfaqësuesi i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, thotë se konflikti në Maqedoni ndikon në situatën e Kosovës, pasi që, sipas tij, të gjitha problemet ballkanike kanë lidhshmëri me njëra-tjetrën. “Të gjitha problemet që kanë ndodhur deri tash në pjesën perëndimore të Maqedonisë, janë të lidhura, në mënyrë direkte apo indirekte, me pjesën jugore të Serbisë dhe me veriun e Kosovës. Kështu që unë nuk e përjashtoj mundësinë që pas këtij jostabiliteti, probleme të caktuara të shfaqen edhe në veri të Kosovës. Kjo deri tash ka qenë një praktikë dhe kjo e formon të ashtuquajturin trekëndësh ballkanik. Kjo funksionon sipas një rregulli të pashkruar, që të shfaqen problemet”, ka thënë Oliver Ivanoviq. Zëdhënësja e Shërbimit Policor të Kosovës, Sabrie Kamberi, tha se situata e sigurisë, në të gjitha pikat kufitare që lidhin Kosovën me Maqedoninë, është e qetë. “Pikat kufitare kanë vazhduar të mbesin të hapura; për asnjë moment nuk janë mbyllur. Atje ka pasur pjesëtarë të SHPK-së, policë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të KFOR-it dhe nuk kemi pasur asnjë incident në pikat kufitare Kosovë-Maqedoni”, theksoi zëdhënësja e SHPK-së. Masat e sigurisë përgjatë kufirit me Maqedoninë vazhdojnë të mbesin të shtuara, me një kontroll më të rreptë të atyre që tentojnë të kalojnë nga cilado anë e kufirit.
XS
SM
MD
LG