Ndërlidhjet

logo-print

A DO TË PËRMIRËSOHET GJENDJA NË SISTEMIN SHËNDETËSOR PAS ZGJEDHJEVE?


Nadie Ahmeti

Premtimet e partive politike se pas zgjedhjeve të 17 nëntorit do të ketë përmirësim edhe në sektorin e shëndetësisë, vështirë se do të realizohen. Kështu, të paktën, thonë punonjës dhe ekspertë të fushës së shëndetësisë, duke shtuar se premtimet e tyre janë vetëm në kuadër të fushatës parazgjedhore. Eksperti i shëndetësisë, Ramiz Avdulli, pohon se një përmirësim i mundshëm mund të ndodhë vetëm pas zgjidhjes së statusit, ndërkaq për premtimet e partive politike në fushatën parazgjedhore, ai është pesimist. “Premtimet e partive politike i vlerësoj vetëm sa për një fushatë, thjesht për një përvetësim të votave”, thotë Avdulli. Do të ishte kënaqësi t’u besohet premtimeve të partive politike dhe të pritet përmirësim në sistemin e shëndetësisë, thotë kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Asllan Bajrami. Por, duke marrë për bazë premtimet e zgjedhjeve të kaluara, shton ai, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pavarësisht se cila parti do ta qeverisë vendin. “Tërë këtë e them pasi kemi një sindikatë të shëndetësisë, kemi një përvojë jo të mirë, për mos të thënë të hidhur, jo vetëm me premtime, por edhe me dokumente të nënshkruara, të negociuara me marrëveshje, me kompromise të arritura, pastaj është heshtur gjithçka. Kështu që duke u nisur prej një përvoje, nuk u besojmë”, shprehet Bajrami. Edhe Abdyl Krasniqi, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, thotë që ka frikë se premtimet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore, nuk janë reale. “Unë nuk jam familjar me programet e tyre, por sloganet që kanë janë vërtet joreale, për të bërë një përmirësim në një afat të shkurtër. Duhet një punë më serioze, duhet të punohet në sistemin shëndetësor, por sigurisht që nuk mund të përmirësohet në një afat të shkurtër”, thotë Krasniqi. Në programet e tyre për fushata parazgjedhore, partitë politike po premtojnë se do të krijojnë kushte për shërbime cilësore në sistemin e shëndetësisë, duke rritur pagat e punonjësve të këtij sistemi. Por, Asllan Bajrami, nga Sindikata e Shëndetësisë, thotë se një gjë e tillë vështirë se do të realizohet. “Do të kisha pasur dëshirë t’u besoj, por është vështirë t’u besohet, sidomos kur është një afat zgjedhor, që në një mënyrë u ‘lejohen’ edhe premtime pa mbulesë, siç janë duke i bërë. Dhe, shumë lehtë mund të thirren se ishte vetëm një fushatë dhe asgjë tjetër”, thotë Bajrami. As Abdyl Krasniqi nuk beson se do të ketë rritje të pagave, pavarësisht premtimeve të partive politike. “Për një rritje pagash në mënyrë lineare, në këtë lloj anarkie, në sistemin shëndetësor nuk është logjike dhe është vështirë të realizohet”, pohon Krasniqi. Sidoqoftë, në programet e tyre për fushatë parazgjedhore, partitë politike kanë premtuar se do të angazhohen për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të të gjithë qytetarëve, si detyrë për krijimin e një shoqërie të shëndoshë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG