Ndërlidhjet

UNDP: AS SHQIPTARËT, AS SERBËT S’BESOJNË NË KOMPROMIS PËR STATUSIN


Albana Isufi

Një muaj para përfundimit të negociatave për statusin mes Prishtinës dhe Beogradit, qytetarët shqiptarë dhe serbë të Kosovës nuk janë optimistë se këto bisedime do të rezultojnë me ndonjë marrëveshje. Të paktën kështu pohohet në faktet e shpejta të raportit të paralajmërimit të hershëm të UNDP-së, që u publikuan sot. Anketa ka treguar perceptime të ndryshme të qytetarëve rreth veprimeve që duhet bërë pas 10 dhjetorit, nëse nuk arrihet zgjidhja për statusin. Përderisa shumica e të anketuarve shqiptarë mendojnë se duhet shpallur pavarësia dhe të zbatohet pakoja e Ahtisaarit, serbët mendojnë se duhet vazhduar edhe më tej negociatat me Beogradin dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, edhe qytetarët shqiptarë, edhe ata serbë, sipas anketës, kanë shprehur një mungesë besimi ndaj institucioneve të Kosovës. Frode Mauring, shef i UNDP-së në Kosovë, shpjegon më tej: “Besimi në institucionet kosovare ka rënë edhe më tej. Nuk ka asnjë institucion të zgjedhur kosovar, me të cilin respondentët janë të kënaqur ose shumë të kënaqur. Besimi në institucionet e sigurisë ka rënë në mesin e komunitetit serb. Muaj më parë, rreth 50 për qind e respondentëve serbë kanë qenë të kënaqur me punën e KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut. Bazuar në këtë sondazh, numri i serbëve të kënaqur me këto dy institucione, është vetëm pak mbi 10 për qind”, thotë Mauring, duke shtuar se nuk është ky i vetmi ndryshim që shihet në mesin e respondentëve serbë, por, në përgjithësi, serbët që ishin pjesë e sondazhit gjatë tetorit, kanë pasur qëndrim negativ ndaj institucioneve kosovare. Sipas raportit, në mesin e popullatës vërehet një mungesë e madhe e besimit në sistemin gjyqësor të Kosovës. “Vetëm 18 për qind e respondentëve thonë se janë të kënaqur me punën e gjyqeve. Kjo është e papranueshme dhe urgjente. Kënaqësia me qeverinë mund të ndryshojë, më ngadalë ose më shpejt, me ndërrimet që mund të bëhen në krye të institucioneve me ose pa zgjedhje. Kjo nuk vlen për gjyqet. Dhe, besimi i ultë në gjyqe krijon dy probleme. Njerëzit nuk i përdorin gjyqet për t’i zgjidhur problemet e veta; ata mund të mendojnë se duhet ta marrin drejtësinë në duart e veta, që është njëra nga gjërat më të këqija që mund t’i ndodhë Kosovës”, tha Mauring. Sipas sondazhit, shumica e qytetarëve mendojnë se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve ka qenë i duhur. Por, dallimet rreth pjesëmarrjes në zgjedhje në mes të shqiptarëve dhe serbëve, sërish janë të mëdha. Rezultatet e anketës tregojnë se 51 për qind e respondentëve shqiptarë kanë thënë se kanë vendosur se për kë do të votojnë, përderisa kjo përqindje për votuesit serbë është 20 për qind. Ndryshe, përderisa rezultatet e anketës tregojnë rritje të pakënaqësisë së kosovarëve me institucionet kosovare dhe ndërkombëtare, në anën tjetër, në mesin e shqiptarëve shihet një rritje e përkrahjes ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. “Mendoj se kjo ka të bëjë më shumë me frustrimet rreth vazhdimit të negociatave për statusin, sesa me çështjet tjera. Pra, shumë nga rezultatet që i shohim sot, kanë të bëjnë me këtë gjë. Në raport shihet se gatishmëria për të protestuar për shkaqe ekonomike ka rënë, ndërsa është ngritur shumë gatishmëria për të protestuar për shkaqe politike. Mendoj se ka shumë frustrim te popullata dhe ata duan të jenë më aktivë për shkak të situatës politike”, pohoi Mauring. Ndër brengat kryesore në mesin e të anketuarve shqiptarë, mbesin ato që lidhen me ekonominë, ndërsa te serbët - problemet e sigurisë. Kurse, gatishmëria e shqiptarëve për të punuar në një vend pune me serbët dhe anasjelltas, ka rënë dukshëm nga sondazhi i fundit. Shumica e të anketuarve mendojnë se stabiliteti i Kosovës kërcënohet nga statusi i pazgjidhur politik dhe nga papunësia dhe varfëria. Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm është i bashkëfinancuar nga USAID-i dhe UNDP-ja. Në kuadër të projektit bëhen anketa katër herë në vit dhe ato kanë për qëllim identifikimin e rreziqeve të sigurisë dhe sjelljen e zërit të qytetarëve në debatin politik. Anketa, që u publikua sot, është bërë gjatë javës së dytë dhe të tretë të tetorit dhe ka përfshirë rreth 1300 respondentë.

XS
SM
MD
LG