Ndërlidhjet

PRISHTINA PARALAJMËRON SHPALLJE TË PAVARËSISË PAS 10 DHJETORIT


Zijadin Gashi

Anëtarët e Ekipit Negociator të Kosovës thonë se shpallja e pavarësisë nuk do të vonojë shumë kohë pas datës 10 dhjetor. Por, ata shprehen të kujdesshëm, duke potencuar se ky vendim do të merret në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet më të fuqishme evropiane. Pas kthimit nga një turne diplomatike në Portugali, Itali e Gjermani, liderët kosovarë thonë se kanë mbështetjen e nevojshme që procesi i statusit të përmbyllet dhe të mos stërzgjatet me negociata shtesë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha sot, pas takimeve të ndara që zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme të Irlandës, Dermot Ahern dhe zëvendësministrin e Jashtëm të Italisë, Famiano Crucianelli, se vendimi për pavarësinë e Kosovës do të jetë jo shumë larg datës 10 dhjetor. Sidoqoftë, ai tha se do t’i jepen pak ditë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, pasi që ai të ketë pranuar raportin e Treshes ndërmjetësuese. “Ne ua kemi bërë me dije se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me Treshen dhe ta përfundojë këtë cikël të bisedimeve, në mënyrën më konstruktive të mundshme. Dhe, po kështu, dëshirojmë që pas 10 dhjetorit të procedohet shumë shpejt; pas raportimit te Sekretari i Përgjithshëm, të jenë krejt pak ditë që mund të jenë më tepër procedurale dhe të merret një vendim i drejtpërdrejtë”, tha presidenti Sejdiu. Paralajmërime për një vendim unik të Prishtinës dhe të partnerëve ndërkombëtarë për datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka kumtuar sot edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Por, ai në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen se ky vendim do të duhej të jetë i koordinuar me ndërkombëtarët. “Politika kosovare do ta marrë vendimin e përbashkët dhe atë vendim do t’ia proklamojë opinionit publik. Dhe, ajo datë që ne do ta proklamojmë, do të jetë edhe data e shpalljes së pavarësisë dhe fillimit të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës”, tha Thaçi. Qëndrimi i Prishtinës për shpalljen e pavarësisë pas 10 dhjetorit, sipas liderëve kosovarë, u është paraqitur edhe shefave të diplomacive të disa vendeve evropiane. Ky pozicion i Prishtinës mbështetet edhe në faktin se procesi shtesë i negociatave nuk ka sjellë asnjë përparim në arritjen e ndonjë marrëveshjeje, kështu që tani pala kosovare paralajmëron se do të kalojë në marrjen e vendimeve për të ardhmen e Kosovës.


XS
SM
MD
LG