Ndërlidhjet

logo-print

SKEPTICIZËM PËR NDRYSHIMET QË DO TË SJELLIN ZGJEDHJET


Nadie Ahmeti

Kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, ndërkaq qytetarët kosovarë vazhdojnë të mbesin skeptikë, se pas këtyre zgjedhjeve do të ketë përmirësim në ndonjë fushë të caktuar. Ata thonë se edhe pas kësaj periudhe, qytetarët prapë do të ballafaqohen me problemet e sotme. Muhamet Kërnja thotë se me gjithë premtimet e partive politike se do të ketë përmirësim në jetën e qytetarëve, për realizimin e këtyre premtimeve nuk ka mjete materiale. “Unë, konkretisht, asgjë nuk pres. Vazhdimisht ka pasur vetëm premtime që nuk realizohen. Mjete financiare, fonde nuk kanë; ato më tepër janë vetëm kozmetikë, premtime”, thotë Kërnja. Myzafer Qafleshi, nga Prishtina, pohon se pas zgjedhjeve të 17 nëntorit mund të ketë ndryshime në aspektin politik, ndërkaq në aspektin social gjasat janë të vogla. “Në aspektin social, sidomos të punësimit, nuk besoj se do të ketë ndryshime. Ndoshta në aspektin politik mund të ketë, pasi jemi në përfundim të procesit. Në ekonomi –pikëpyetje; mund të ketë investime të huaja nëse zgjidhet statusi, por me siguri që edhe ai proces do të shkojë shumë ngadalë”, shprehet Qafleshi. Muhamet Reçica mendon se një përmirësim i vogël mund të ndodhë në sektorin ekonomik. “Shumë pak mendoj se do të realizohen këto premtime, që partitë politike po i japin. Ndoshta, një përmirësim i gjendjes ekonomike jo i ndjeshëm, por një përmirësim deri diku i dukshëm”, thotë Reçica. Por, pak më optimiste se do të përmirësohet gjendja për të rinjtë është Shukrie Sveçla. “Po, pres të rregullohen pagat; do të përmirësohet gjendja për të rinjtë. Mendoj se do të ketë përmirësime; duhet të ketë patjetër”, pohon Sveçla. Ndërkaq, Adem Berisha nuk pret ndonjë ndryshim të dukshëm pas zgjedhjeve. “Nuk besoj se do të ketë ndërrime. Me këta të vjetrit, ndërrime nuk do të ketë”, shpreh mendimin e tij Berisha. Bejtullah Sogujeva thotë se edhe pas ditës së shtunë, kur edhe do të mbahen zgjedhjet, qytetarët do të ballafaqohen me problemet që i kanë përcjellë tash e sa vite me radhë. “Këto janë vetëm premtime boshe për të ardhur deri te karrigia; asgjë fare”, thotë Sogujeva. As Hysen Zeqiri nuk është optimist se do të ketë ndonjë përmirësim të mirëqenies së qytetarëve pas zgjedhjeve të 17 nëntorit. “Pas zgjedhjeve, asgjë më mirë. Për pensionistë nuk ka asgjë, na kanë harruar krejt. Në Madenë kam punuar dhe ndihmë sociale po marrim”, thotë Zeqiri. Manushaqe Prelvizaj, studente në Fakultetin Juridik, thotë se as në sistemin e arsimit nuk do të ketë ndryshime pas zgjedhjeve të sivjetme. “Nuk besoj se do të ketë kushte më të mira për studentë. Vetëm po premtojnë dhe asgjë nuk po realizojnë. Që nga përfundimi i luftës asgjë nuk është bërë për studentë”, shprehet Prelvizaj
XS
SM
MD
LG